Shkruan Agron Hoti
Ashazoten (pasha zotin) ciu s’po guxojnë t’i bëjnë KEDS-it të ‘babës’ Erdogan, as pushteti aktual që i shante oligarkët sa ishte në opozitë e qe besa as opozita që është pulëpalosur dhe po rri në pasqyrë tërë ditën duke bërë jetëra përrallore.
Me gjasë, të gjithë u bënë bashkë-aksionarë në KEDS-in e ‘babës’ Erdogan duke e mjelur popull zezën që tashmë e ka kapur kokën në dorë dhe po ikën me të madhe jashtë vendit, edhe atë si kurrë më parë në histori. Mjerisht, tashmë kemi një skenë të tërë politike (pozitë e opozitë) të kapur plotësisht nga ‘baba’ Erdogan dhe Martin Berishaj i lidhur me Serbi e Rusi, të cilët ta rrisin çmimin e rrymës sa herë të duan, ndërsa ne i mëshojmë ZRRE-së, të cilën s’e pyet kush as kur është nata e madhe.
Sa bukur – siç historikisht – po funksionon aleanca Turqi-Serbi për ta shpopulluar edhe më tej Kosovë zezën, së cilës tashmë fshatra të tëra i kanë ngelur si fantazma pa njerëz. E paradoksi qëndron te fakti kur sot kemi një skenë të tërë politike që e mban gojën plot me Perëndim e SHBA, ndërsa vazhdon të jetë e kapur nga Lindja me Turqinë dhe Serbinë në epiqendër, të cilat s’e kanë pushtuar shumë gjatë popullin shqiptar, por veç nja 700 vite të buta, ndërkohë që të njëjtat vazhdojnë edhe sot tjetërsimin tonë kombëtar përmes xhamijëzimit dhe fetarizimit ekstrem të Kosovës dhe diasporës sonë dhe këtë e bëjnë mu në kohën kur orientimi ynë do të duhej të ishte kah shkolla dhe perspektiva drejt Perëndimit, ku për shqiptarët ka lindur dhe do të lind dielli.
Prandaj, mos e kërkoni fajtorin te ZRRE, sepse s’e gjeni dot aty, por drejtëpërdrejtë te politika jonë, pozitë e opozitë, pa përjashtim.