Shkruan: Alfred Marleku
Armëpushimi i arritur së fundmi ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës në Detin e Zi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara pas negociatave intensive tre-ditore në Arabinë Saudite, në shikim të parë mund të interpretohet si një hap pozitiv drejt paqes dhe stabilitetit rajonal. Megjithatë, një analizë më e thelluar e përmbajtjes dhe kushteve të kësaj marrëveshjeje tregon se përfituesja kryesore është Rusia.
Fillimisht, marrëveshja garanton sigurinë e lundrimit dhe hapjen e tregut global për eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave kimike. Këto janë elemente jetike për ekonominë ruse, pasi e njëjta ka qenë nën presionin e sanksioneve të rënda ndërkombëtare që kanë dëmtuar ndjeshëm sektorin e saj bujqësor dhe aftësinë për të tregtuar lirisht produktet kyçe në tregjet globale. Marrëveshja parasheh gjithashtu qasje më lehtë të Rusisë në porte dhe në sistemet financiare ndërkombëtare për kryerjen e këtyre transaksioneve. Kjo zbutje e sanksioneve përfaqëson një fitore domethënëse ekonomike dhe diplomatike për Rusinë. Kjo mund të ringjall sektorin e saj të eksportit dhe të fuqizoj pozitat tregtare ndërkombëtare.
Në fakt Rusia ka vendosur kushte specifike, duke kërkuar që armëpushimi të hyj në fuqi vetëm pasi të hiqen sanksionet ndaj bankave ruse që merren me eksportet e ushqimit dhe plehrave kimike, riintegrimin e tyre në sistemin e pagesave Swift dhe heqjen e kufizimeve për anijet që mbajn flamurin rus. Këto kushte tregojnë qartë qëllimin strategjik të Rusisë për të përdorur këtë marrëveshje si levë diplomatike dhe ekonomike për të reduktuar presionin ndërkombëtar në favor të ekonomisë së saj.
Nga ana tjetër Ukraina duket të ketë bërë disa lëshime të rendësishme që mund ta dëmtojnë. Që nga fillimi i luftës Ukraina kishte arritur suksese të rëndësishme ushtarake në Detin e Zi, duke dëbuar flotën ruse nga Sevastopoli, porti kryesor rus në rajon, dhe duke e detyruar Rusinë të zhvendoste shumicën e anijeve të saj në portin e Novorossiysk-ut, brenda territorit rus. Ukraina kishte arritur gjithashtu një sukses domethënës simbolik duke fundosur anijen kryesore ruse, Moskva, në prill të vitit 2022, si dhe duke shkatërruar rreth një të tretën e flotës ruse.
Për më tepër, Ukraina kishte dëshmuar aftësi të konsiderueshme operacionale dhe diplomatike në sigurimin e një korridori alternativ detar përgjatë bregdetit perëndimor të Detit të Zi, duke e bërë të mundur rifillimin gradual të eksporteve të saj të drithit – një komponent jetik për ekonominë dhe qëndrueshmërinë e vendit. Kjo arritje erdhi pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e drithërave e ndërmjetësuar nga OKB në korrik 2023, dhe tregoi se Ukraina ishte në gjendje të anashkalonte pjesërisht bllokadën detare ruse përmes koordinimit me partnerët rajonal dhe duke siguruar infrastrukturën e nevojshme logjistike.
Deklarata e Presidentit ukrainas Zelensky i cili paralajmëroi se Ukraina do të kërkoj sanksione më të ashpra dhe mbështetje të shtuar ushtarake nga partnerët ndërkombëtarë në rast se Rusia nuk respekton marrëveshjen, reflekton shqetësimin e thellë të Kievit për natyrën e këtij kompromisi. Duke analizuar kushtet dhe implikimet, bëhet e qartë se Rusia ka arritur të përfitoj më shumë nga ky armëpushim, duke siguruar avantazhe të qarta ekonomike dhe diplomatike, ndërsa Ukraina rrezikon të mbetet në një pozitë më të dobët strategjike, me ndikim në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e saj afatgjatë.
Autori është profesor i Shkencave Politike