Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Dhunimi i grave me nevoja të veçanta, nga RrGK thonë se Kosova nuk ka plan për rehabilitim dhe riintegrim për këtë kategori

Dhunimi i grave me nevoja të veçanta, nga RrGK thonë se Kosova nuk ka plan për rehabilitim dhe riintegrim për këtë kategori

Dhunimi dhe dhuna në përgjithësi ndaj grave me nevoja të veçanta është një problem serioz dhe shumë i ndjeshëm në Kosovë, si dhe në shumë vende të tjera të botës. Ky fenomen është shpesh i padukshëm dhe nënraportuar, duke përfshirë këtu edhe dhunën seksuale dhe abuzimin fizik dhe psikologjik ndaj grave me aftësi të kufizuara.

Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar koordinimin ndërinstitucional dhe ofruar shërbime më të mira për viktimat, ende ka shumë punë për të bërë për të siguruar një mbrojtje efektive dhe të plotë për gratë me nevoja të veçanta.

Javën e kaluar Policia e Kosovës nisi hetimet për një rast të rëndë dhunimi të ndodhur në Skenderaj. Sipas raportit,  thuhej se “viktima femër me aftësi të kufizuara, kishte raportuar se është dhunuar para rreth katër muajsh”. Pas ekzaminimit mjekësor, u konstatua se viktima është shtatzënë, duke bërë të ditur një pasojë të rëndë të këtij akti kriminal.

Teksa ky është rasti i dytë brenda një muaji e pak që dhuna seksuale ndaj grave me aftësi të kufizuar del në sy të publikut.

Në një  prononcim për TV ARBËRIA, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka thënë se pavarësisht që Kosova ka një kornizë ligjore e cila i trajton rastet e tilla dhe denon dhunën në baza gjinore që ndodhë ndaj personave me aftësi të kufizuara, dhuna ndaj këtij grupi mbetet e paraportuar.

“Studimet tregojnë që vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë në baza gjinore mirëpo kjo dhunë mbetet e raportuar. Pavarësisht që Kosova ka një kornizë ligjore e cila i trajton rastet e tilla dhe denon dhunën në baza gjinore që ndodhë naj personave me aftësi të kufizuara, dhuna ndaj këtij grupi mbetet e paraportuar. Kjo për shkak që personat me aftësi të kufizuara nuk kanë informatat e nevojshme për raportim të dhunes gjithashtu mbetet e pa monitoruar pjesa nëse institucionet marrin seriozisht raportimin e viktimave të personave me aftësi të kufizuara”, tha ajo.

Teksa theksoi se vendi jonë nuk ka plan të rehabilitimit dhe riintegrimit për vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës në baza gjinore.

“Përveç kësaj në Kosovë mungon strehimorja për strehimin e personave me aftësi të kufizuara, gjë që kontribon që viktimat e tilla të strehohen në strehimoret e viktimave të dhunës në baza gjinore,  mirëpo këto nuk kanë shërbimet adekuate për të trajtuar gratë me aftësi të kufizuara viktima të dhunës në baza gjinore. Për më tepër, në Kosovë nuk ka një plan të rehabilitimit dhe riintegrimit për vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara viktima të dhunes në baza gjinore. Edhe pse viktima të dhunës në baza gjinore, ato shpesh here përfundojnë duke u dhunuar përsëri dhe duke u riviktimizuar”, theksoi tutje Breznica./E.Salihu