Ardian Kastrati nga Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj sjelljes së politikanëve të vendit në një situatë të ndjeshme gjeopolitike, duke i cilësuar ata si “frikacakë” që i shmangen përgjegjësive shtetërore.
Kastrati në Facebook kritikoi qeverinë dhe opozitën për pasivitet, duke theksuar se Kosova po rrezikon të mbetet e papërgatitur për ndryshimet e mëdha në rajon dhe botë.
Sipas Kastratit, ndërsa Serbia forcon diplomacinë e saj, Kosova po izolohet për shkak të mungesës së veprimit strategjik.
Reagimi i plotë:
POLITIKANË FIKACAKË QË I SHMANGËN PËRGJEGJËSIVE SHTETËRORE DHE NJË PJESË E MIRË E QYTETARËVE QË SHIJOJNË “REHATINË E KËNAQËSINË” NËN ” MBROJTJEN E PERËNDIMIT” DUKE U PREOKUPUAR MË SHUMË PËR LËVIZJET E GJESTIT – KOSOVA NË RREZIK!
Albert Camus: thoshte: ” Një njeri që nuk ka pyetje për jetën, është një njeri që ka humbur përgjigjet.” Politikanët e Kosovës po flejnë karshi zhvillimeve nëper botë dhe rajon, duke i bindur kështu edhe shumë qytetarë që të pashqetësuar të shijojnë ” kënaqësinë, rehatinë ,lumturinë, sigurinë” që ofron Kosova. Këta janë si ata tipat që e shijojnë një festë pa e kuptuar se çfarë fature të shtrenjtë do të paguajnë shumë shpejt.
Elitat politike të Kosovës kanë zgjedhur heshtjen përballë kërcënimeve që vijnë nga stuhitë tektonike gjeopolitike të cilat gradualisht po formësohen edhe në në rajon.
Përderisa tensionet ndërkombëtare nuk kanë të ndalur, ata po numërojnë vota. Duke taktizuar, Kurti po vepron kundër formimit të Qeverisë së re, ndërsa opozita duke u fshehur në zyre nuk po vepron për formimin e qeverisë së re. Veprimet dhe mosveprimet e tyre , gjithsesi të gabuara, mund të kenë pasoja të rënda për Kosovën.
Në kohërat kur shembet një rend dhe është në prag krijimi i një rendi të ri botëror, historia na mëson se këto situata mund të shndërrohen në mundësi për shtetet, por gjithashtu mund të dështojnë në mënyrë tragjike.
Kurti si narcis që plotëson egot në kurriz të Kosovës po vepron kundër interesit të shtetit, ndërsa opozita po tregohet frikacake dhe e paaftë të marrë përgjegjësi për tu përballur me sfida diplomatike të sofistikuara e të shpejta në ndikim, në kohën e cila i ngjan periudhës së tensioneve të Luftës së Ftohtë ku diplomacia fine dhe e balanceve e kishte fjalën kryesore.
Përderisa Serbia vepron aktivisht në raport me SHBA dhe akterë të tjerë me ndikim, politikanët e Kosovës, të ngujuar pas algoritmeve të FB dhe duke numëruar vota, po i shikojnë fuqitë e mëdha si hije të padukshme, duke luajtur me fatin e Kosovës.
Me fuqinë e furtunës gjeopolitike në rritje dhe kërcënimet në rajon, nuk mund të mos kujtojmë fjalët e Henry Kissinger: “Paqja pa një rend të qëndrueshëm është vetëm një iluzion”. Pikërisht kjo është në thelb e vërteta për një Kosovë që kërkon të ruajë stabilitetin brenda një rrethimi që po bëhet gjithnjë e më kërcënues. Nën këtë kërcënim të vazhdueshëm, politikanët e Kosovës në vend të gjumit do duhej të gjejnë mënyra për të manovruar, duke u kujdesur që vendi të mos bëhet pjesë e ndonjë loje të rrezikshme të intrigave rajonale apo ndërkombëtare.
Shumë vështirë të mbahet flamuri i plotë i pavarësisë përballë rrufesë globale , përderisa kemi në krye Kurtin që bën gjithçka që mundet për të mbajtur pushtetin dhe me liderët opozitarë që preferojnë të mbesin të ngujuar në një labirint të pasigurt duke i ikur përgjegjësive të jashtëzakonshme me të cilat janë ngarkuar.
Nën stuhitë e lëvizjeve tektonike gjeopolitike të cilat mund të kërcënojnë çdo ekuilibër të ndërtuar në rajon, pozitë e opozitë kanë zgjedhur mosveprimin, frikën e qyqarllëkun.
Në epoka të turbullta si kjo gjithmonë ekziston mundësia që politikanët të shkruajnë historinë . Fatkeqësisht, kësaj radhe Kosovës i mungojnë të tilla elita politike e qe besa edhe kulturore që veprojnë me mençuri e guxim në shërbim të shtetit duke paguar çmimin e pushtetit.
Si arritëm në këtë pikë?
Në njërën anë, kemi politikanë pakurriz e frikacakë që para hundës shohin mundësitë e kusuritjeve të fuqive në kurriz të shteteve të vogla dhe nuk zgjohen të ndërrmarrin iniciativa në shërbim të vendit.
Në anën tjetër, të bindur se jemi në duar të sigurta, si duket preokupimet kryesore në këtë shoqëri vazhdojnë të janë lëvizjet e radhës së Gjestit!
Marrëzia vazhdon!