Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përfitimet dhe “dëmet” politike të “aleancës së re” ushtarake në Ballkan

Përfitimet dhe “dëmet” politike të “aleancës së re” ushtarake në Ballkan

Shkruan: Afrim Kasolli

Javën e kaluar Shqipëria, Kroacia dhe Kosova, nënshkruan një deklaratë të përbashkët ushtarake ku janë zotuar për ta intensifikuar eksplorimin dhe zhvillimin e blerjes së kapaciteteve mbrojtëse të përbashkëta, ndarjen e ekperitizave më të mira në rekrutim, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit për të rritur kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse, stërvitje të përbashkëta, forcimin e hapave kundër kërcënimeve hibride, shkëmbimin i informacioneve të inteligjencës për parandalim dhe mbështetja e Kosovës për marrjen e statusit të saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s, etj.

Duke marr parasysh faktin, se si Kroacia ashtu edhe Shqipëria janë shtete anëtare të aleancës veri-atlantike, por edhe Kosova aspiron që sa më shpejt të bëhet pjesë e saj, është pritshme që kjo “aleancë e re ballkanike” nuk mund të konceptohet jashtë standardeve politike, ushtarake dhe doktrinare të NATO-së, në themel të së cilës qëndron përkushtimi për mbrojte dhe siguri kolektive sipas vlerave demokratike.

Ndaj kësaj iniciative, ashtu siç është pritur ka reaguar ashpër Serbia. Pak pas nënshkrimit të saj pas takimit që kishte pasur më Sekretarin e NATOS-së, Mark Rutte, presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se Zagrebi dhe Tirana, kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandumin për bashkëpunim në mbrojtje me Prishtinën. Për më shumë sipas tij, memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.

Nuk ka dyshim, se lideri serb do të tentojë që me çdo kusht ta satanizojë këtë bashkëpunim edhe si përpjekje për ta maskuar krizën e tij të brendshme politike, si dhe presionet që janë akumuluar kohën e fundit nga tendencat separatiste të serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Pra në këtë mënyrë, ai pretendon që këto shtete t’i paraqesin kërcënim për stabilitetin rajonal. Por po ashtu ta justifikojë narracionin e tij konspiracionit, se tërë ajo që po ndodh në Serbi me reagimet masive studentore, nuk është asgjë tjetër pos një komplot i organizuar veçanërisht nga Prishtina dhe Zagrebi, për të minuar nga brenda stabilitetin e shoqërisë serbe nëpërmjet agjenturave të huaja që kanë depërtuar nëpër kapilarët e rinisë studentore. Dhe në fund po ashtu t’i legjitimojë investimet masive ushtarake si dëshmi që Serbia rrethohet nga armiq rajonalë, që nuk ka alternativë tjetër pos të vetëmbrohet.

Se Serbia nuk ka ndryshuar sa i përket mentalitetit politik hegjemonik askush nuk mund ta mohoj. Se ajo është ende peng, siç e tha para pak dite në një intervistë për Al Jazeera, ish kryeministri e ministri i punëve të Jashtme të Bosnjës, Haris Silajdzic, i të njëjtit projekti nacionalist që nga viti 1848 për t’u zgjeruar territorialisht në kurriz të vendeve fqinje. Prandaj,edhe kufizimi dhe izolimi i Serbisë për shkak të këtyre ambicieve është një imperativ strategjik.

Madje kryeministri Kurti, ka kohë që e mbron këtë ide. Në një sërë intervistash ai ka folur për nevojën e një aleance ballkanike kundër Serbisë. Sipas tij, boshnjakët, shqiptarët, malazezët, maqedonasit e kroatët, duhet të bëhen që ta zgjidhin problemin me Serbinë, sepse jo vetëm në shekullin XX, por edhe në shekullin XXI, Serbia edhe më tej është problemi kryesor i Ballkanit”, ka shtuar ndër të tjera kryeministri Kurti.

Ndonëse shpesh herë veprimet e tij kanë qenë në kundërshtim me këto projeksione gjeopolitike. Rast konkret është Maqedonia e Veriut. Në zgjedhjet e fundit parlamentare ai e ka përkrahur atë subjekt politik që dikur kishte konstatuar se Serbia e ka në grusht tw dorws, pra VMRO-DPMNE. Dhe në këtë drejtim ashtu ka ndodhur, sot Maqedonia e Veriut është afruar tej mase me Serbinë dhe është larguar nga Shqipëria dhe Bullgaria, duke i krijuar një shtrat më të madh depërtimit të interesave serbe në rajon. E të mos flasim për Malin e Zi. Edhe pse këto dy vende janë në NATO, megjithatë politikisht janë afruar tej mase me “botën serbe”.

Sidoqoftë, përtej përftimeve politike të sipër përmendura, kjo qasje multi-vektoriale e Kosovës mund t’i kthehet në bumerang nëse nuk investon për t’u afruar më shumë sidomos më administratën aktuale amerikane. Sepse nuk ka asnjë lidhje tjetër që mund ta kompensojë mungesën e këtij raporti të sipër cekur. Sepse siç e tha para pak dite në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, ish-diplomati amerikan, James Hooper, gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ngase për këtë ish-diplomat, Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin sepse është shumë e rrezikshme për Kosovën kur amerikanët e shohin atë si problem”. Dhe edhe nëse të gjitha vendet rajonale e shohin Serbinë si problem, por për aq kohë sa Uashingtoni mund të ketë perceptim tjetër, atëherë as këto “aleanca të reja ballkanike” nuk mund korrigjojnë pozicionin e Kosovës. /TV Arbëria