Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se shtrenjtimi i serishëm i energjisë elektrike do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset.
Në një konferencë për media, Shala tha se qeveria aktuale, në emër të liberalizimit të tregut po favorizon një grup të vogël të tregtarëve të energjisë, duke vënë barrën më të rëndë mbi familjet dhe bizneset kosovare.
Shala tha se vitet e fundit familjet kosovare po përballen me rritje të faturave të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e mirëqenies së tyre.
“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë, çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët e përgjithshëm në nivel vendi. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës janë përballur me shtrenjtimin të energjisë elektrike, të cilën kjo qeveri nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta ndalur. Përkundrazi, duke u fshehur pas terminologjisë së “liberalizimit të tregut”, ajo po e shtyn një skenar të rrezikshëm që rëndon mbi familjet dhe ekonominë e vendit”, tha Shala.
Shala theksoi se bizneset po detyrohen të hynë në një treg të paqëndrueshëm e pa alternativa, një hap i cili sipas tij, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm.
“Bizneset po detyrohen të hyjnë në një treg të paqëndrueshëm, pa alternativa reale dhe me rrezikun e rritjes së kostove operacionale. Asnjë garanci nuk është dhënë se ky proces do të sjellë shërbime më cilësore për konsumatorët. Kjo rritje do të reflektojë edhe në një inflacion të lartë, veçanërisht për prodhimin vendor. Për Kosovën, ku tregu energjetik ka qenë shpesh subjekt i manipulimeve dhe skandaleve, ky hap është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm”, theksoi Shala.
Qeveria aktuale, sipas Shalës duhet të ndalojë menjëherë këtë politikë të dëmshme për qytetarët dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve. Shala, shtoi se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për parandalimin e shtrenjtimit të rrymës.
“Qeveria duhet të ndalojë menjëherë këto politika të dëmshme dhe të ndërmerr hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve. Ne nuk do të lejojmë që familjet dhe bizneset kosovare të jenë viktima e radhës, të eksperimenteve të gabuara ekonomike. Prandaj, PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar këtë vendim të padrejtë, përfshirë kontestimin e seancave gjyqësore e deri në nivel kushtetues”, shtoi Shala.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet 15 për qind duke nisur nga muaji prill. Ndërsa, sipas këtij institucioni rregullues, nga 1 qershori bizneset me mbi 50 punëtorë dhe me qarkullim mbi 10 milionë euro do të kalojnë nga tregu i energjisë me çmime të rregulluara në treg të hapur.
Kujtojmë, ZRRE bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars. Më 2024, ZRRE uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë tre për qind, por në vitin 2023 rriti tarifat me 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. kp