Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në Durrës me kandidatët socialistë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama u shpreh se Shqipëria ka arritur një dakordësi me Komisionin Evropian për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, një afat që ai e konsideroi një sukses të jashtëzakonshëm.
“Dera e BE është e hapur, por nuk kemi kohë për të humbur. Na gjeti të përgatitur dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment historik. 11 maji është më shumë se një proces zgjedhor, është një moment kyç për shpejtësinë e negociatave,” tha Rama.
Sipas tij, negociatat për anëtarësimin janë një proces kompleks, ku janë të angazhuar rreth 1,000 ekspertë të ndarë në 40 grupe pune. Ai e krahasoi situatën aktuale me vitin 1992, kur Shqipëria kaloi në sistemin demokratik, duke thënë se tani PS është në të njëjtin pozicion që kishte PD në atë kohë – si e vetmja forcë që mund ta çojë përpara këtë proces.
“Vota e 11 majit nuk është thjesht për PS, por për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Nëse zgjedhjet dërgojnë një sinjal të qartë për vijimin e punës, atëherë procesi i integrimit do të ecë më shpejt,” u shpreh kreu i qeverisë.
Në fund, Rama u shpreh optimist për rezultatin e zgjedhjeve dhe theksoi se fokusi kryesor mbetet përparimi i vendit drejt BE-së, pa vonesa dhe pa shpërdoruar kohën e çmuar të këtij momenti historik.