Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Abdixhiku pas takimit me emisarin e Brukselit : LDK e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE me përfshirje të SHBA’së

Abdixhiku pas takimit me emisarin e Brukselit : LDK e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE me përfshirje të SHBA’së

Kryetari  i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur të hënën në selinë e LDK’së emisarin e BE’së për dialogun Kosovë -Serbi.

Abdixhiku në Facebook tha se me danezin ka diskutuar për “zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut Kosovë – Serbi si dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”.

 

 

POSTIMI I PLOTË:

Prita sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Peter Sorensen.

Gjatë takimit, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për procesin e dialogut Kosovë – Serbi si dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

E urova për detyrën e marrë dhe e njoftova emisarin Sorensen me qëndrimet e Lidhjes Demokratike rreth dialogut; se LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës; me theks të veçantë në arritjen e njohjes së ndërsjellë. E njoftova në veçanti dhe me pozicionin tonë për refuzimin e draft statutit të Asociacionit të pranuar nga Qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës.

Kërkova që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese për Kosovën sepse të njëjtat përveçse po dëmtojnë qytetarët tanë, dëmtojnë edhe vetë procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në familjen euroatlantike!

Po ashtu shpreha besimin se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në përpjekjet e saj për integrim si dhe në proceset tjera.