Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ramiz Lladrovci: Epoka Trump është më e shpejtë se logjika ballkanike

Ramiz Lladrovci: Epoka Trump është më e shpejtë se logjika ballkanike

“Nga dita e fitores së Presidentit Trump, në skenën globale janë bërë ndryshime të papritura dhe janë krijuar situata që i përgjigjen sfidave të reja. Kanadaja ka emëruar kryeministër të ri, Gjermania ka formuar një qeveri të shpejtë me koalicion të madh, Grenlanda po rishikon pozicionin e saj, Evropa po merr në konsideratë taksat amerikane, ndërsa Ukraina ngadalë po e gjen paqen”

Në këtë mjedis global, Kosova po përballet me procesin zgjedhor, ku për të numëruar pak më shumë se 900 mijë vota, institucioneve tona u duhen 36 ditë. Kështu ka deklaruar Ramiz Lladrovci, duke shtuar se “Mjerimi ynë flet vetë.”

Lladrovci ka theksuar se Kosova nuk ka luksin e vonesave për zgjedhje dhe krijimin e institucioneve të reja. Ai ka pyetur, “A jemi në një situatë ku mund të bëjmë ndalime si shtet, kur shpejtësia e zhvillimeve politike është tepër e madhe?”

Sipas tij, bartësit e përgjegjësive institucionale në Kosovë duket se nuk e kuptojnë ndryshimin që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka përmendur lajmet dëshpëruese nga miqtë e tij republikanë në SHBA, pavarësisht emërimit të disa prej tyre në postet e rëndësishme të administratës Trump.

Politika e jashtme e Kosovës, sipas Lladrovcit, po vonon dhe nuk po reagon as kur Presidenti Trump po godet kreatorët e Akuzës kundër UÇK-së, presidentit Thaçi dhe të tjerëve. Ai ka theksuar gjithashtu se mungon lobimi i duhur në Amerikë, duke shtuar se diplomacia jonë po pret të shohë se çfarë do të marrë nga Amerika, pa e ditur se çfarë do të japë.

Lladrovci ka paralajmëruar se Kosova është duke u vonuar dhe ka ngritur shqetësimin për vizitën e djalit të Presidentit amerikan në Beograd, duke e konsideruar këtë si një shenjë të keqe. Ai ka përfunduar duke thënë se epoka Trump është më e shpejtë se logjika ballkanike dhe ka kërkuar nga institucionet kosovare që të veprojnë shpejt, përndryshe historia do të kthehet kundër Kosovës.

“Pa Amerikën, të cilën e prezanton aktualisht Trump, nuk do të kishte shtet të Kosovës. Me këtë mendësi, Kosova do të ketë shumë probleme. Qofsha i gabuar!” ka përfunduar Ramiz Lladrovci. /TV Arbëria