Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot pritet ta vizitojë Kosovën në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa shteteve anëtare të NATO-s kanë rritur shqetësimet për unitetin e aleancës.
Rutte gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
E njohësi i marëdhënieve ndërkombëtare Shqiprim Pula në një prononcim për TV Arbëria ka deklaruar se vizita e sekretarit të NATO’s, Rutte tregon rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe nevojës për të garantuar siguri të ekuilibruar.
“Europa prej vitesh tashmë po kalon nëpër një kohë kritike përsa i takon sigurisë dhe nevojës për mbrojtjen e domosdoshme, poashtu, edhe Europa juglindore është provokuar nga akterë të caktuar duke e cenuar rëndë sigurinë. Takimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Samitin e Sigurisë të së Ardhmes në Europë, në Londër, Mbretëria e Bashkuar, në fillim të këtij Muaji dhe vizita e tij në rajonin tonë, tregon qartazi rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe nevojës për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje për të garantuar siguri të ekuilibruar”, tha Pula.
Derisa theksoi se takimi i Rutte’s me drejtuesit shtetërorë, konfirmon demonstrimin mbi angazhimin dhe vendosmërinë për të luajtur rolin insitucional të Kosovës me Aleancën Veriatlantike.
“Natyrisht, Republika e Kosovës, nuk është vend anëtar i NATO-s por, bashkërendohet përsa i takon situatës së sigurisë dhe nevojës që t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes për t’u përballë me çdo lloj sfide të së ardhmes. Padyshim, ardhja e Mark Rutte në Prishtinë dhe takimi me drejtuesit shtetëror, konfirmon demonstrimin mbi angazhimin dhe vendosmërinë për të luajtur rolin tonë institucional me Aleancën Veriatlantike dhe aleatët e NATO-s, tha më tej Pula për TV Arbëria.
Derisa edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka komentuar vizitën e sekretarit të NATO-s, Mark Rutte.
Ajo ka thënë se ‘’fokusi duhet të jetë që Kosova sa më parë të jetë pjesë e NATO-s, sepse me këto zhvillime gjeo-politike dhe gjeo-strategjike, që po ndodhin në botë që të jemi të sigurt’’. /E.Salihu