Organizata Shqiptaria ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për marshin e 8 Marsit, i organizuar nga “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, duke theksuar se ngjarja, e cila duhet të kishte qenë një manifestim për të drejtat dhe sigurinë e grave, u shndërrua në një platformë për përhapjen e agjendave politike të huaja.
Në një deklaratë për media, Organizata Shqiptaria ka dënuar përpjekjet për të keqpërdorur këtë ditë të shënuar për gratë për qëllime politike që bien në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Sipas tyre, “Në vend që të fokusohej në çështjet që ndihmojnë gratë, marshimi i 8 Marsit u përdor për të shpërndarë mesazhe politike që janë të dëmshme për Kosovën dhe për interesat e popullit shqiptar”.
Për më tepër, organizata ka kritikuar mbështetjen që u shpreh në marsh për Palestinën, një entitet politik që nuk e njeh Kosovën si shtet. “Është e papranueshme që, në kryeqytetin e Kosovës, të propagandohet mbështetje për Palestinën, një entitet që mohon shtetësinë tonë dhe që mban qëndrime armiqësore ndaj kombit shqiptar”, theksohet në reagimin e Organizates Shqiptaria.
Organizata Shqiptaria ka nënvizuar gjithashtu se Kosova dhe shqiptarët nuk mund të jenë në krah të atyre që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe mbështesin grupe si Hamasi, që kanë kryer sulme terroriste.
“Nuk mund të mbështesim ata që mbështesin organizata terroriste si Hamasi, i cili kreu sulme barbare kundër Izraelit në vitin 2023 dhe shkaktoi një konflikt tragjik me mijëra viktima. Kosova ka nevojë për miq të vërtetë, siç është Izraeli, që e ka mbështetur gjithmonë pavarësinë tonë”, është thënë në reagimin e organizatës.
Në fund, Organizata Shqiptaria ka bërë thirrje për veprim nga institucionet shtetërore, duke kërkuar që të ndërpriten çdo lloj manipulimi dhe të sigurohet që 8 Marsi të mbetet një ditë e përkushtuar për gratë dhe të drejtat e tyre, pa u shfrytëzuar për agjenda politike të huaja që dëmtojnë interesin kombëtar.
“Ne bëjmë thirrje që institucionet shtetërore të ndërmarrin hapa për të ndaluar këto manipulime dhe të sigurojnë që 8 Marsi të mbetet një ditë e shënuar për gratë dhe për të drejtat e tyre, dhe jo një platformë për agjenda të huaja”, ka përfunduar Organizata Shqiptaria. /TV Arbëria
Postimi i plotë;