Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta, ashtu siç vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot në një mbledhje.
Procesi i rinumërimit KQZ thotë se “po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar”.
Fillimisht, siç njofton KQZ, “në mbledhjen e ditës së sotme KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025”.
“Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
KQZ mori vendim që gjithashtu të rinumërohen plotësisht fletëvotimet për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime “për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate”.
“Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025”, tha KQZ.