Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po e rikthen Putini botën në normalitetin e saj historik?

A po e rikthen Putini botën në normalitetin e saj historik?

Shkruan: Afrim Kasolli

Fillimi i pushtimit brutal të Ukrainës para tri viteve nga Rusia, si dhe skepticizmi gjithnjë e më i madh i SHBA-ve ndaj rendit ndërkombëtar të inauguruar pas Luftës së Dytë Botërore, por që i njëjti e arriti kulmin me fundin e Luftës së Ftohtë e ka shtruar shtratin e krijimit të një realiteti normal historik.

Fillimi i të ashtuquajturit operacion special në Ukrainë gjoja për të mbrojtur popullsinë autoktone ruse nga regjimi i Kievit si dhe për “denazifikuar këtë shtet” i kanë dhënë fund iluzioneve se integriteti territorial i shteteve të pranuara ndërkombëtarisht është i paprekshëm. Kështu, në vitin 2014 Rusia e aneksoi gadishullin e Krimese, kurse sipas konturave të planit të paqes të propozuar nga administrata Trump për t’i dhënë fund këtij konflikti është thënë se mbetet jo realiste shpresa që Ukraina t’i rikthejë territoret e humbura më luftë.

E vërteta e kësaj luftë sipas shumë analistëve është frika e Rusisë se Ukraina do të mund t’i bashkëngjitej NATO-së. Sepse depërtimin e kësaj të fundit në kufijtë e Rusisë, Moska e konsideron si rrezikim të interesave të saj gjeopolitike. Madje sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, në takimin që ishte mbajtur në Riad të Arabisë Saudite, ndërmjet delegacionit rus dhe atij amerikan, si pjesë e pakos së negociatave, Rusia e ka shtruar edhe kërkesën për tërheqjen e bazës ushtarake të kësaj aleance nga Rumania. Por që sipas CNN kjo kërkesë është hedhur kategorikisht poshtë nga delegacioni amerikan.

Mirëpo, në anën tjetër me të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë edhe presidenti Trump ka filluar të shpalos plane për pushtime territoriale. Ai i ka bërë thirrje Kanadasë që t’i bashkohet SHBA-ve, si dhe e ka nisur një luftë tregtare me këtë shtet. Po ashtu, e e ka kërcënuar shtetin e Panamasë nuk do ta tolerohet për ta shndërruar kanalin e ndërtuar nga amerikanët në aset ekonomik dhe tregtar kinez, si dhe ka shprehur pretendime territoriale ndaj ishullit të Grenlandës, i cili administrohet nga Mbretëria e Danimarkës. Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka paralajmëruar Evropën se më siguria e saj nuk mund të jetë interes primar i SHBA-ve. Prandaj, shtetet e kontinentit të vjetër nëse duan të jenë të sigurta duhet të mendojnë për vetën. Nuk është se këto të fundit nuk e kanë aspiruar autonominë strategjike të kontinentit nga SHBA-të deri më tani. Por këtë kanë synuar ta bëjnë duke e integruar edhe Rusinë si pjesë e kësaj arkitekture. Mirëpo, si pasojë e luftës në Ukrainë tashmë ato e kanë të qartë se vakumin e mundshëm amerikan duhet ta kompensojnë në armiqësi me Rusinë dhe jo në aleancë me të.

Synimet për çmontimin e këtij rendi ndërkombëtar i ka bërë të qarta edhe Kina. Ky shtet ka kohë që nuk i maskon projeksionet e tij revizioniste gjeopolitike. Pekini e konsideron rendin e dalur nga Lufta e Ftohtë si një ombrellë që u shërben vetëm interesave hegjemonike të SHBA-së. Madje zyrtarët e këtij shteti kanë deklaruar se nëse bota dëshiron të ketë paqe dhe siguri atëherë duhet dhënë hapësirë edhe këtyre regjimeve për mbijetesë dhe lulëzim. Ndërkohë, hiç me larg se dje, ministri kinez i Punëve të Jashtme ka deklaruar se vendi i tij është gatshëm për ta quar deri në fund luftën tregtare apo çfarë do lufte tjetër me SHBA-të

Në këtë kontekst, tashmë gjithnjë e më shtetete të ndryshme anekënd globit kanë filluar të flasin për riarmatim e tyre. Në funksion të kësaj agjende në samitin e mbajtur dje në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka bërë publik planin për investime 800 miliardë euro në fushën e mbrojtjes nga shtetet e BE-së. Projeksione të tilla janë duke bërë edhe shtetet e veçanta. Kështu, kryeministri britanik, Keir Starmer, është zotuar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje në 2.5 për qind të ekonomisë deri më 2027. Rusia siç dihet këto shpenzime i ka quar deri në 7 për qind për nevojat e luftës në Ukrainë. Kurse ajo që konsiderohej e pa imagjinueshme deri më tani po ndodh edhe në Gjermani. Kancelari në ardhje i këtij shteti Friedrich Merz është zotuar se do t’i rris shpenzimet në këtë sektor, qoftë edhe nëpërmjet borxhit publik. Madje thuajse të gjitha partitë politike në Gjermani janë pajtuar që vendi i tyre duhet të mendojë edhe për riarmatosjen bërthamore. Sa do të mund të realizohen këto plane mbetët te shihet. Sepse ri orientimi i shpenzimeve publike në mbrojte mund të prodhonte kosto sociale dhe ekonomike, diçka që do të ngjallte zemërim tek popullsitë e shteteve të BE-se të mësuara të jetojnë në “parajsën e paqes post-historike”. Po ashtu, siç e ka bërë të qartë edhe raporti i ish-kryeministrit italian, Mario Draghi, Unionit do t’i duhet të investojë në ekonomi deri ne 800 miliardë euro në vit në mënyrë që ta ruajë aftësinë e saj konkurruese me SHBA-të dhe Kinën, si dhe ta shmang polarizimin social nga kriza gjithnjë e më madhe.

Këto zhvillime tashmë dëshmojnë se bota po rikthehet në atë që ka qenë si gjendje normale e saj gjatë historisë. Ku gara për armatime, rivalitetet gjeopolitike ndërmjet shteteve dhe grabitjet territoriale do të mund të jenë tash e tutje fatumi i njerëzimit, ashtu siç kanë qenë gjithmonë. Se çfarë ishte ajo gjendje e dëshmon vetëm një fakt i thjeshtë i prezantuar nga i Oona A. Hathaway dhe Scott J. Shapiro, në librin “The Internationalists: How a Radical Plan to Outlaw War Remade the World”. Sipas gjetjeve të këtyre autoreve vetëm nga viti 1816 deri në vitin 1945 kishin ndodhur më shumë se 160 pushtime territoriale. Kurse pas këtij viti për shkak të rendit ndërkombëtar të inauguruar nga SHBA-të ky fenomen u rrallua tej mase. Dhe kjo kthese nuk ndodhi ngase njerëzimi, shtet dhe politika befasisht u iluminuan dhe filluan të mishërohen më idealet kantiane në vend të botës hobsbiane. Por sepse në epiqendër të këtij rendi qëlloi të jetë një shtet demokratik dhe liberal si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TV Arbëria