Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Përfitimet e mundshme të Kosovës nga rikthimi i Britanisë në Evropë

Përfitimet e mundshme të Kosovës nga rikthimi i Britanisë në Evropë

Shkruan: Afrim Kasolli

Tensionet që u manifestuan në Shtëpi të Bardhë në mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe atij ukrainasVolodymyr Zelensky, u pasua nga një takim i këtij të fundit në Londër me kryeministrin britanik, Keir Starmer. Shefi i Qeverisë britanike,  u zotua për t’i ofruar mbështetje maksimale liderit ukrainas, por edhe duke u munduar që ta shfaq vetën si një urë ndërmjetëse ndërmjet SHBA-së, Ukrainës por edhe në mes Brukselit dhe Uashingtonit. Gjatë këtij samiti, pjesë e të cilit ishte edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, ai deklaroi se “Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore, por për të mbështetur paqen në kontinentin tonë dhe që të kemi sukses kjo përpjekje duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”.

Për më shumë, kryeministrit britanik me këtë rast e hodhi idenë e krijimit të atij që e quajti “koalicioni i të gatshmëve” (coalition of the willing),si një forcë për të garantuar paqen në Ukrainë, në rast të një marrëveshje ndërmjet Moskës dhe Kievit. Një termë ky, që për herë të parë ishte përdorur nga ish-presidenti George W. Bush, për ta justifikuar luftën në Irak, me pretendimin për të demoluar armët e shkatërrimit në masë që thuhej se i posedonte ky shtet, por që në këtë aksion nuk e kishte marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe përkrahjen e vendeve si Franca dhe Gjermania. Ndërkohë, siç dihet Britania i kishte qëndruar krah atëbotë SHBA-ve.

Mediat ndërkombëtare këtë kthese kthesë të Britanisë e kanë quajtur si një rikthim të saj në garantimin e arkitekturës së sigurisë evropiane. Që nga BREXI-ti, thuajse Londra ishte pasive në zhvillimet e brendshme në tokën kontinentale. Rol primar në këtë drejtim kishin pasur kryesisht Parisi dhe Berlini. Këto dy kryeqendra ishin angazhuar së bashku me Kievin dhe Moskën në dizajnimin e atyre që njihen si marrëveshje të Minskut. Sipas këtyre sdy akordeve palët e përfshira në konfliktin e Ukrainës ishin zotuar të ndërmerrnin disa hapa për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit. Natyrisht, pas fillimit të pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, Britania u bë njëra nga mbështetëset kryesore të së parës.

Mirëpo, përtej kësaj situate, ky aktivizim i Gjermanisë dhe Francës dhe pasivizim i Britanisë ishte vërtetuar edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Francës Emmanuel Macron  dhe kancelari aktual në detyrë i Gjermanisë Olaf Scholz, u bënë nismëtar të planit të njohur franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Plan ky, që u konkretizua në Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e zbatimit në Ohër para dy viteve. Ndërkohë, ky proces e gëzonte edhe mbështeten e administratës Biden. Edhe Britania e kishte emëruar ish-gjeneralin Suart Peach, si të dërguar special për Ballkanin Perëndimor, por është interesant se i njëjti asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e takimeve e a saj që quhej si “pesëshe e madhe” të përbërë nga SHBA-të, Gjermania, Italia dhe Franca si dhe të shoqëruar nga përfaqësuesi i  Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në anën tjetër, pas sulmit paramilitar dhe terrorist që kishte ndodhur me 24 shtator të vitit 2023, në fshatin Banjë, qëndrimin më të ashpër kundër Serbisë, e kishte mbajtur gjatë vizitës së tij në Kosovë, ish-Sekretari i jashtëm, David Cameron.   Me këtë rast, ky ish diplomat i lartë britanik, kishte deklaruar se “në rast të përsëritjes së sulmeve të tilla, sikur se ai 24 shtatorit, ushtarët britanik duhet të luftojnë”. E mos pajtimet e Londrës me procesin e dialogut Kosovës-Serbi, asgjë nuk i shpreh më mirë se sa konstatimi i tij, para Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin Britanik, se “strategjia e deritanishme e komunitetit trans-atlantik për Kosovën është e dizajnuar para sulmit agresiv të Rusisë mbi Ukrainën”. Prandaj, si e tillë ajo është e tejkaluar.

Në këtë kontekst, me një administratë amerikane jo miqësore ndaj Brukselit si dhe me një shtim të peshës britanike në  pjesën kontinentale të Evropës, nëse shfrytëzohen shansa mund të krijohet një realitet i ri për përmirësimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Duke e shfrytëzuar veçanërisht rolin e Londrës si urë lidhëse ndërmjet BE-se dhe Uashingtonit. Kosova është njëri nga vendet e rajonit që më shumti i ka vuajtur pasojat e tërheqjes së Britanisë nga BE-ja, sepse në këtë mënyrë e kishte humbur mbështetjen e njërit prej shteteve më mbështetëse në kuadër të Unionit Evropian. Kuptohet, tash nuk është fjala për një ribashkim të saj me Brukselin. Por, megjithatë çdo aktivizim i saj më i madh edhe në çështjet e sigurisë evropiane mund të jetë një sinjal pozitiv për Kosovën. /TV Arbëria