Analisti politik Agon Maliqi në ARB Debat në TV Arbëria, me moderatorin Rid Berisha, ka thënë se në fazën që po ndodhin negociatat për luftën Ukrainë-Rusi ekziston rreziku që Ukraina të mbetet pa mbështetje.
Maliqi thotë se nga Uashingtoni do të kërkohen dy gjëra, që sipas analistit janë problematike.
“Rreziku është që Ukraina të mbetet pa mbështetje në këtë fazë, gjatë kohës kur negociohet, dhe aty më shumë jemi në fazën e asaj ‘koalicioni i atyre që duan dhe kanë mundësi të kontribuojnë’, se jo çdo shtet ka mundësi të dërgojë trupa. Prej çdo kujt do të kërkohet që të kontribuojnë aq sa mundën dhe me të gjitha këto mjete që mblidhen dhe me planin konkret që do të vizatohet në ditët në vijim, do të shkohet në Uashington dhe do të kërkohen dy gjëra: E para është që SHBA-të të ofrojnë atë që quhet ‘backstop’, sepse edhe nëse evropianët i japin mjetet e tyre, ato janë të pamjaftueshme pa një pjesë të elementeve, pa një prani të vazhdueshme amerikane në prapavi, veçanërisht në mbrojtjen ajrore, inteligjencë, pra do të kërkohet një lloj përfshirjeje amerikane në prapavi. Dhe e dyta, që marrëveshja të jetë e pranueshme për Ukrainën, që këtu do të jetë ndoshta pjesa më problematike…”, ka thënë analisti.
Maliqi thekson se pikëpyetje mbetet fakti se a do të mund të arrihet një armëpushim i cili do të jetë i pranueshëm edhe për SHBA-të, edhe për Ukrainën, edhe për Rusinë. Ai shton se kjo është diçka shumë e vështirë.
“Por një pritje ekziston që marrëdhënia mes Trump dhe Putin ndoshta do të shërbejë për të hapur këtë mundësi, por gjithsesi me rrezikun se cilat do të jenë garancitë për Ukrainën”, ka thënë analisti.
Sipas analistit, marrëveshja për mineralet Ukrainë-SHBA do të jepte një lloj garancie se Rusia nuk do të futet në Ukrainë, duke e ditur që ka prezencë amerikane. /TV Arbëria