Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pasojat e mundshme për Kosovën të suspendimit të ndihmave ushtarake amerikane për Ukrainën

Pasojat e mundshme për Kosovën të suspendimit të ndihmave ushtarake amerikane për Ukrainën

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga dita fatale e 28 shkurtit kur takimi ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe zëvendësit të tij JD. Vance, me atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, eskaloi në një përplasje verbale, shumë kush ka qenë në pritje të masave sanksionuese të të parit ndaj të dytit. Ky takim ishte aranzhuar me qëllim nënshkrimin e një marrëveshje për shfrytëzimin e burimeve minerale ukrainase për nevojat ekonomike të kompanive amerikane.

Kryetari Zelensky insiston se ky akord duhet të ofrojë edhe garraci të sigurisë që më vendi i tij nuk do të sulmohet sërish nga Rusia, duke marr parasysh faktin se edhe pse ai kishte nënshkruar marrëveshje paqe me Moskën, ato nuk ishin zbatuar nga Putini.

Kurse sipas gjykimit të kësaj administrate, pikërisht ky pajtim për mineralet e ofron garanci të sigurisë që po i kërkon Ukraina. Sepse, në këtë rast janë pyetje interesat ekonomike amerikane. Këtë tezë pak a shumë e mbrojti në një intervistë për mediumin CNN atë ditë Sekretari Marco Rubio. Kurse, ngjashëm ka pohuar edhe sot, Zëvendës Presidenti JD. Vance se “mënyra më e mirë për ta mbrojtur Ukrainën nga ndonjë sulm tjetër ushtarak nga Rusia, mbetet akomodimi i interesave amerikane në atë shtet në të ardhmen”.

Ndërkohë, si pasojë e këtij tensioni është kristalizuar qasja e Shtëpisë së Bardhë mbi kryetarin ukrainas. Fillimisht që kur ai të jetë gati për paqe të mund të rikthehet në Uashington, ose nëse nuk është i tillë ta zëvendësojë vetën me një lider që është i gatshëm për biznes me amerikanët. E për ta shtuar trysninë mbi të, sot mediat ndërkombëtare e kumtuan lajmin se tashmë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marr vendim për ta pezulluar gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Në kushte anomiteti një zyrtar i shtëpisë së Bardhë i ka thënë mediumit Bloomberg se “kjo ndalesë po bëhet për t’i kontribuar zgjidhjes së këtij konflikti. Kurse mediumi tjetër Fox News, duke u thirrur në burime brenda kësaj administrate ka shkruar “se kjo nuk është ndalesë e përhershme, por një pauzë”.

Sidoqoftë, këto zhvillime e kanë bërë tashmë të qartë faktin se sipas optikës së kësaj administrate Ukraina po shndërrohet në pengesë për paqe. Prandaj, edhe këto masa ndëshkuese janë në funksion të disiplinimit të saj me qëllim që të pajtohet me realitetin dhe t’i përshtatet agjendës amerikane. Sa është e drejtë apo jo kjo qasje është tjetër temë? Mirëpo, kjo është gjendja.

Madje, kushdo që i ka ndjekur deri më tani zotimet e rrethit të ngushtë te Presidentit Trump për t’i dhënë fund kësaj luftë, një epilog i tillë nuk duhet të jetë befasi. Që nga i emëruari i Presidentit Trump për luftën në Ukrainë, Gjenerali Keith Kellogg, e zyrtarë të tjerë, është potencuar se SHBA-të do ta dizajnojnë një plan te paqes, konturat e të cilit tashmë edhe janë bërë të ditura, ku në rast se Rusia e saboton atë, atëherë kjo administratë do ta armatos Ukrainën për ta shtuar presonin mbi Moskën, por nëse Kievi nuk është i gatshëm për një aranzhman të tillë, atëherë trysja do të bie mbi këtë të fundit. Çfarë edhe po e shohim. Ndërkaq, përkundër solidariteti formal të shteteve të BE-së, ekziston një pajtim i përgjithshëm se këto të fundit as që mund të imagjinohen ta kompensojnë vakumin amerikan.

Ndërkohë, ky skenar po tregon se çka mund ta pres Kosovën nëse kjo administratë rifokusohet me qëllim sigurimin e një marrëveshje me Serbinë. Pra, Kosova nuk e ka luksin të mendojë se pavarësisht sjelljeve të saj ajo pëswri do të gjejë mbështetjen amerikane. Kjo qasje dëshmon se vendi ynë do ta ketë të vështirë të ketë përfitime diplomatike nëse ndodhet përballë një presioni amerikan për një marrëveshje të mundshme paqësore me Serbinë, duke e shpërfillur atë me pretendimin se kjo e fundit është agresore dhe vendi ynë është viktimë.

Mbështetja apo jo në rrethanat e reja do të mund të sigurohet nga qëndrimi që mund të ketë Qeveria e Kosovës, (cila do qoftë ajo) për të vepruar paraprakisht, në raport me ato detyrime që mund të imponohen sipas modelit “merre ose leje” (take it or leave it). Në këtë kontekst, siç po e dëshmojnë zhvillimet në Ukrainë, është urgjente që vendi ynë ta shmang çdo kualifikim të mundshëm amerikan si pengesë për paqe dhe se me veprimet e tij po e rrezikon sigurinë rajonale. Mjerisht gjatë mandatit që përfundoi disa herë i është nënshtruar një vlerësimi të tillë. Prandaj siç e tha edhe ish-diplomati amerikan James Hooper, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, “gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”. Sepse është “shumë e rrezikshme për Kosovën nëse amerikanët e shohin atë si problem”. /TV Arbëria