Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gashi për shërbyesit civil: Pagat janë shumë të ulta, kemi kërkuar rritje për 35% të koeficientit…

Gashi për shërbyesit civil: Pagat janë shumë të ulta, kemi kërkuar rritje për 35% të koeficientit…

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, i ftuar në emisionin “N’PULT” në TV Arbëria, me moderatorin Resim Morina, ka folur për kushtet e punës dhe kërkesat e shërbyesve civilë në Kosovë.

Ai ka thënë se pagat në sektorin publik janë shumë të ulta.

“Në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe kemi kërkuar që ligjet të cilat prekin zyrtarët publikë në shërbimin civil duhet të përfshijnë sindikatën, që të marrin pjesë dhe të japin ekspertizën, pasi që janë të informuar për hallet dhe shqetësimet që kanë shërbyesit civilë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur as tek hartimi i ligjit për zyrtarët publikë. Prandaj, është hera e dytë që iu nënshtrua kushtetutshmërisë, por as ligji i pagave, kini parasysh përcaktimin e pagave në sektorin publik, konkretisht te shërbyesit civilë, pagat janë jashtëzakonisht shumë të ulta. Absolutisht mund të themi që, duke variuar nga 400 euro paga në shërbimin civil, shkon deri në 650 euro dhe kjo, për gjendjen në të cilën jemi, është e papërballueshme. Prandaj, edhe e thash, nuk ka interes për t’u punësuar në sektorin publik, për arsye se nuk mund t’ia dalin me pagat,” ka thënë ai.

Ai gjithashtu shtoi se kanë kërkuar që koeficienti për shërbyesit civilë të rritet për 35%.

“Ne kemi kërkuar që paga apo koeficienti prej 110 euro që është aktual, të rritet me 35%, që i bie diku përafërsisht në 150 euro koeficienti, por kjo ka hasur në vesh të shurdhër,” ka thënë ai. /TV Arbëria