Organizata “Shqiptaria” përmes një reagimi ka dënuar ashpër deklaratat e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka sulmuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ka mohuar legjitimitetin e komunitetit Bektashi si një fe më vete.
Sipas tyre, këto qëndrime janë të rrezikshme për harmoninë fetare dhe shoqërore të shqiptarëve.
REAGIMI I PLOTË:
Organizata “Shqiptaria” dënon ashpër deklaratat e Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, i cili ka sulmuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ka mohuar legjitimitetin e komunitetit Bektashi si një fe më vete. Këto qëndrime janë të rrezikshme për harmoninë fetare dhe shoqërore të shqiptarëve.
- Feja islame nuk është monolite, dhe Bektashizmi nuk ka nevojë për “leje” nga askush
Pretendimi i Tërnavës se feja islame është “e pandarë” dhe se komuniteti Bektashi po “fut përçarje” është absurd. Islami ka qenë i ndarë në sekte që nga vdekja e Muhamedit, për shkak të lakmisë për pushtet dhe hegjemonisë. Bektashizmi është një traditë e njohur prej shekujsh në trojet shqiptare dhe nuk ka nevojë për “miratimin” e askujt për të ekzistuar.
- Liria fetare është e garantuar me kushtetutë, BIK-u nuk mund të imponojë monopole
Kosova dhe Shqipëria janë shtete laike dhe demokratike, ku organizimi fetar është një e drejtë e pacenueshme. Askush nuk mund të diktojë se cilat besime janë të pranueshme. Përpjekjet e Tërnavës për të monopolizuar përfaqësimin e fesë islame janë të papranueshme.
- Myftiu Tërnava ka përhapur diskriminim dhe narrativë anti-kombëtare
Nën udhëheqjen e tij, BIK-u ka diskriminuar sistematikisht komunitetin Bektashi dhe tarikate të tjera islame, duke ndikuar në shtrembërimin e identitetit kombëtar shqiptar. Imamët e BIK-ut kanë glorifikuar pushtuesit osmanë dhe kanë tentuar të tjetërsojnë ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
- Keqpërdorimi i pushtetit dhe ndikimet e huaja në BIK
Tërnava duhet të japë llogari për ndikimet dhe investimet e huaja fetare në Kosovë, si dhe për korrupsionin e hapur me pushtetarët lokalë. Rasti i ndarjes së paligjshme të tokës publike në Bresje për ndërtimin e një xhamie është vetëm një shembull i keqpërdorimit të pushtetit nga BIK-u.
- Pengesë për lirinë dhe pluralizmin fetar
Tërnava është një nga pengesat kryesore për miratimin e ligjit të ri për liritë fetare në Kosovë, duke synuar ta mbajë BIK-un si entitet ekskluziv. Kjo përbën një kërcënim serioz për demokracinë dhe liritë themelore.
Thirrje për hetime dhe përgjegjësi ligjore
Organizata “Shqiptaria” u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë urgjentisht keqpërdorimet financiare dhe abuzimin me pushtetin nga ana e Myftiut Tërnava dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në këto shkelje. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk duhet të lejohet të përhapë përçarje në emër të fesë.
Shqiptaria
3 Mars 2025