Mercier ka reaguar ndaj pyetjejes lidhur me akuzat që partitë opozitare shqiptare kanë ngritur ndaj qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sipas këtyre partive, qeveria ka cenuar Marrëveshjen e Ohrit gjatë nëntë muajve të fundit, duke kufizuar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet dhe organet kyçe të vendit, si dhe duke hequr gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Vazhdimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 mbetet një element thelbësor për demokracinë dhe stabilitetin e vendit, dhe kjo kërkon përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara,” është shprehur Guillaume Mercier, zëdhënësi i komisioneres për zgjerimin, Marta Kos.
Një tjetër shqetësim i Komisionit Evropian mbeten ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat po pengojnë përparimin e vendit në rrugën e integrimit evropian. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë përmbushur kushtin e përfshirë në kornizën negociuese për integrimin në Bashkimin Evropian, të njohur si “propozimi francez”. Ky kusht lidhet me plotësimin e kërkesës së Bullgarisë për të përfshirë minoritetin bullgar në preambulën e Kushtetutës së vendit.
Komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian se shpreson që autoritetet e Maqedonisë së Veriut do ta përmbushin këtë angazhim, në mënyrë që vendi të vijojë me hapjen konkrete të negociatave të anëtarësimit.