Zahir Hamza, avokat i ftuar në emisionin “N’PULT” në TV Arbëri, përballë Resim Morinës, ka folur për procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, në Hagë.
Ai ka thënë se për sa kohë që kanë qenë në paraburgim ish-krerët e UÇK-së, ata kanë humbur shumë kohë, humbje për të cilën mund të kërkohet kompensim.
Tutje, ai ka theksuar që të gjykuarit nga Specialja, edhe nëse shpallen të pafajshëm, do t’u ngelë një njollë, si ish të burgosur.
“Fillimisht është një humbje kohe, në këtë rast kanë humbur kohë, zoti Thaçi dhe të tjerët që janë ata, kanë humbur mjaftueshëm në aspektin personal, familjar, dhe njëkohësisht shteti i Kosovës ka humbur me paraburgimin e tyre sa vite. Është një kosto marramendëse, i cili i kushtohet edhe Thaçit dhe familjes së tij, edhe shtetit të Kosovës. Por ne e dimë që procesi gjyqësor duhet të kryhet deri në fund, derisa të shpallet një aktgjykim. Deri më tani është i pafajshëm, kuptohet deri në një aktgjykim të plotfuqishëm, ai e konsideron veten të pafajshëm, dhe jam i bindur që do të shpallet i pafajshëm. Tash përfundon procesi gjyqësor, i njëjti shpallet i pafajshëm, ka të drejtë të bëjë kërkesë kompenzimi në aspektin moral, familjar, financiar dhe të gjitha format e kompensimit, por besoj që nuk i përmbush ato pritshmëri sepse ka me vite që është i mbyllur. Një person që me vite e ka krijuar një imazh të mirë në publikun dhe në shtetet evropiane, me këtë proces në njërën anë shpallet i pafajshëm, lufta e tij është e pastër, në anën tjetër ka një njollë për publikun e gjerë edhe shtetet tjera të cilat mund të etiketohet si ish i akuzuar, e kanë njëfarë njolle që mund të ndikojë në karrierën e tij,” ka thënë avokati.
Ndër të tjera, avokati shton se mbetet shqetësuese çështja kur përmend rastin e Ramush Haradinajt, i cili ka qenë 10 vjet në proces dhe në fund është shpallur i pafajshëm.
“Edhe nëse shpallet, jam i bindur që shpallen të pafajshëm, kompetencat për kërkesat e kompensimit moral, është çështje e tij. E kemi rastin e Ramush Haradinajt, i cili 10 vjet ka qenë në proces dhe në fund është shpallur i pafajshëm, është shqetësuese kjo,” ka thënë ai. /TV Arbëria