Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > CNN: Vendet arabe do t’i shpalosin Trumpit një plan për Gazën brenda disa javësh

CNN: Vendet arabe do t’i shpalosin Trumpit një plan për Gazën brenda disa javësh

Ministrat e jashtëm arabë po synojnë të udhëtojnë në Washington “brenda javësh” për t’i paraqitur Presidentit të SHBA-së, Donald Trump një propozim solid për të rindërtuar Gazën pa zhvendosur popullsinë palestineze, thanë burimet zyrtare jordaneze për CNN.

Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan propozoi dëbimin e 2.1 milionë palestinezëve nga Gaza dhe transformimin e enklavës në një “rivierë” që do të zotërohej nga Shtetet e Bashkuara, një plan që shkaktoi zemërim në të gjithë Lindjen e Mesme dhe refuzime të prera nga liderët rajonalë.

Liderët arabë pritet të mblidhen për një samit më të gjerë në Kajro më 4 mars, ku pritet të publikohet një “hartë rrugore” për Gazën dhe konfliktin. Më pas, diplomatët e lartë arabë pritet të udhëtojnë në kryeqytetin amerikan në javët në vijim për t’ia dorëzuar propozimin administratës Trump, thanë burimet.

Zyrtarët arabë duan të sigurohen se është “një plan solid” përpara se t’ia paraqesin Trumpit, tha një nga burimet.

Përveç paraqitjes së një plani për rindërtimin e brezit të shkatërruar pa zhvendosjen e popullsisë, kundërpropozimi arab do të trajtonte gjithashtu çështje kyçe si qeverisja e Gazës pas luftës, reformimi i Autoritetit Palestinez dhe vendosja e forcave paqeruajtëse ose paqësore brenda rripit, thanë burimet.

Është e paqartë se nga kush do të përbëhej forca paqeruajtëse.

Javën e kaluar, liderët arabë mbajtën një takim të rrallë “joformal” në kryeqytetin saudit Riad për të diskutuar planin – një mbledhje që burimet thanë se ishte “i rëndësishëm” dhe në të cilin kishte “një qëndrim të unifikuar”.

Jordania dhe Egjipti – dy vende që Trump tha se ishin kandidatë për të pritur palestinezët – refuzojnë çdo zhvendosje dhe e konsiderojnë atë një çështje të sigurisë kombëtare.

“Pozicioni ynë është i vendosur dhe i qartë dhe ne nuk do të pranojmë asnjë kërcënim për sigurinë tonë kombëtare”, tha një zyrtar, duke e përshkruar atë si një “vijë të kuqe” për Jordaninë.

Për muaj të tërë, zyrtarët në Jordani kanë paralajmëruar kundër përpjekjeve për të zhvendosur palestinezët në vend. Ministri i Jashtëm jordanez tha në shtator të vitit të kaluar pas një përshkallëzimi izraelit në Bregun Perëndimor se çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët atje në Jordani do të konsiderohej një “shpallje lufte”.