Ish-diplomati amerikan, James Hooper, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Pa ndodhur kjo, sipas tij, do të ishte rrezik që SHBA-ja të përfshihej në përpjekjet e Kosovës për të arritur marrëveshje me Serbinë.
“… sepse, shikoni, Shtetet e Bashkuara nuk po i ndihmojnë Ukrainës. Tash kur ato janë përfshirë në [zgjidhjen e atij konflikti], ato janë rreshtuar në anën e autokratit, në anën e Rusisë, e jo në anën e demokracisë së vërtetë”, thotë Hooper.
Shtetet e Bashkuara i kanë tërhequr disa herë vërejtjen Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për shkak të disa veprimeve – që ato i kanë konsideruar si të pakoordinuara – në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Me ato lëvizje, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kosova ka vënë në pikëpyetje partneritetin mes dy vendeve.
“Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin dhe të mos i japë leksione Uashingtonit”, thotë njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Hooper.
Sipas tij, “është shumë e rrezikshme për Kosovën kur amerikanët e shohin atë si problem”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, si e komentoni ndryshimin e politikës amerikane ndaj Ukrainës, nën presidentin Donald Trump?
James Hooper: Mua, personalisht, nuk më pëlqen. Mendoj se kjo e minon NATO-n, ndërsa NATO-ja ka qenë vendimtare për ruajtjen e paqes në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, apo që nga fundi i viteve 1940.
Unë kam respekt të madh për Ukrainën. Ukrainasit kanë luftuar shumë, e kanë befasuar botën dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e Amerikës.
NATO-ja nuk ka të bëjë vetëm me tanke, me avionë, me [raketa] Himars e me gjëra si këto. NATO-ja është vërtet besimi në fuqinë e Amerikës, në qëllimin dhe në vendosmërinë e saj. Presidenti Trump e minon këtë kur del në anën e presidentit Putin. /REL