Shkruan: Afrim Kasolli
Deklarimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se “Evropa nuk është më fokus primar i SHBA-ve”, apo fillimi i negociatave paqësore të drejtpërdrejta ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, në Riad të Arabisë Saudite, për fatin e luftës në Ukrainë, si dhe përjashtimi i BE-së nga kjo tavolinë, me të drejtë ka nxitur shqetësimin se a po shndërrohet kontinenti i vjetër në një meny diplomatike ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin? Si dhe a po marrin fund lidhjet e përbashkëta transatlantike, e të cilat i kanë karakterizuar raportet ndërmjet dy entiteteve që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore?
Siç dihet nga të gjithë ne, SHBA-të u përfshin në dy luftëra të nxehta botërore dhe një të ftohtë, për ta pamundësuar triumfin gjeopolitik të një hegjemonie të vetme në Evropë. Në të dy rastet ndodhi që ky shtet të jetë Gjermania. Kurse gjatë luftës së ftohtë Bashkimi Sovjetik. Mirëpo, pas përfundimit të së parës, Uashingtoni u tërhoqën brenda qerthullit të sigurisë tej oqeanike. E bekuar me dy oqeane në mes dhe me resurse të jashtëzakonshme të brendshme, ai shtet ishte i imunizuar nga ajo që ndodhte në pjesën tjetër të botës. Kjo edhe është arsyeja që doktrina e izolacionizmit ka qenë mjaft e fuqishme në mendimin strategjik amerikan.
Por pa kaluar shumë kohë, demokracitë e reja të sapodalura nga hiri i perandorive të shembura evropiane kolapsaun njëra pas tjetrës dhe regjimet fashiste në vend të tyre. Kështu, Evropa u gjend nën pushtetin e fashizmit gjerman. Kjo solli përsëri intervenimin e Uashingtonit në teatrin e përgjakshëm të historisë evropiane. Mirëpo, pas këtij suksesi ajo nuk e përsëriti gabimin e njëjtë, duke u tërhequr përtej brigjeve të Atlantikut. Përkundrazi, u bë nismëtare e ndërtimit të një rendi ndërkombëtar, që sipas shumë analistëve ndodhët në teh të ekzistencës.
Për shkak të këtij stacionimi, u krijua NATO si mekanizëm i sigurisë kolektive. Madje, themelet e kësaj organizate u hodhën me motiv për ta mbajtur “Gjermaninë të përkulur dhe Bashkimin Sovjetik jashtë sferës së interesave strategjike amerikane në Evropën Perëndimore”. (“Keep the Soviet Union out, the Americnas in, and the Germans down”). Dhe kjo nuk është e rastësishme. Sepse Gjermania e sotme paqësore nuk është ajo djeshmja. Përkundrazi, militarizimi nacionalist, ambiciet për pushtime territoriale dhe përvetësimi i burimeve natyrore për nevoja të brendshme ekonomike ishin shtysat kryesore të Berlinit imperial.
Sipas studiuesit të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare Robert Kagan, në artikullin “The New German Question”, të botuar kohë më parë në Foreign Affrairs, bashkimi i këtij shteti në vitin 1871 e kishte debalancuar ekuilibrin e forcës që kishte dominuar deri atë kohë në kontinentin evropian. Në mes të tij, ishte krijuar një shtet i fuqishëm, i pasur, i madh dhe tejet i pushtetshëm për t’u mbajtur nën kontroll nga fuqitë tjera evropiane. Pra është pikërisht kjo kthesë që solli gradualisht rrënimin e atij rendi dhe u hapi rrugën tensioneve të reja gjeopolitike që rezultuan në dy luftëra tragjike botërore. Prandaj, Geroge Kenan, ish-diplomat amerikan, me të drejtë kishte pohuar se “një formë e integrimit evropian ishte e vetmja mundësi për të ofruar një zgjidhje adekuate për problemin e Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Evropës”.
Kështu, në vitin 1945 edhe pse Evropa doli e rrënuar, ku dhjetëra miliona njerëz kishin humbur jetën dhe qytetet të tëra ishin shkatërruar nga bombardimet, megjithatë rindërtimi i saj u shpall si interes strategjik amerikan. Nën ndikimin e rekomandimeve të administratës Truman, Kongresi miratoi planin e njohur Marshall, atëbotë më vlerë, 13.3 miliardë dollarë (më shumë se 170 miliardë dollarë në monedhën e sotme) me qëllim ringjalljen ekonomike të rajonit.
Në këtë mënyrë, ndodhi edhe integrimi i pjesës perëndimore të kontinentit në rendin liberal të drejtuar nga SHBA-të. Prandaj, shndërrimi i tij në njërin nga rajonet më paqësore u bë i mundur, jo pse këto shtete të Evropës u ndërgjegjësuan mbi modelin e “paqes së përjetshme kantiane”, në raport me luftën e të “gjithëve kundër të gjithëve” sipas paradigmës hobsbiane, por sepse në epiqendër të këtij rendi, qëlloi të jetë një fuqi demokratike dhe liberale. Përftimet, e këtij modeli ishin të jashtëzakonshme edhe në nivel global. Oona A. Hathaway dhe Scott J. Shapiro, në librin “The Internationalists: How a Radical Plan to Outlaw War Remade the World” kanë dëshmuar se si nga viti 1816 deri në vitin 1945 kishin ndodhur më shumë se 160 pushtime territoriale. Kurse pas këtij viti ky fenomen u rrallua tej mase.
Mirëpo, ankesat dhe mllefet e disa prej kryeqendrave diplomatike evropiane ndaj kësaj omniprezence të Uashingtonit nuk u ndalen asnjëherë. Janë të njohura sabotimet e ish- presidentit francez De Gaulle, sidomos ndaj NATO-së. I njëjti kërkonte largimin e trupave amerikane nga toka evropiane dhe krijimin e një arkitekture të re sigurisë së bashku me ish-Bashkimin Sovjetik. Thuhet se gjatë një takimi në Uashington, ish-Presidenti amerikan John F. Kennedy t’i këtë thënë të parit, se ata edhe mund të largohen, por se kur ka ndodhur ajo, viktimë e parë ishte Franca. Duke ia kujtuar Charles De Gaulle, disa nga disfatat e turpshme tw shtetit të tij në raport me Gjermaninë sidomos pas vitit 1870. Dhe se nëse ka dikush që ka përfituar më së shumti nga siguria amerikane, ishte Parisi. Apo një deklaratë tjetër brutale gjatë mandatit të parë e Presidentit Trump drejtuar atij francez, Emmanuel Makron, se po të mos ishin trupat amerikane tashmë francezët do të flisnin gjermanisht.
Në këtë kontekst, ambiciet evropiane për një autonomi strategjike në sferën e sigurisë duke e integruar edhe Rusinë brenda saj, kundrejt SHBA-ve, kanë qenë një aspiratë e kahershme e shumë shteteve evropiane. Madje, këto linja antagoniste janë manifestuar edhe në Kosovë. Nuk është e rastësishme që gjatë mandatit të parë kryeministri Kurti, deklaronte se Kosova nuk është Meksike, por në kufijtë e BE-së, dhe se kjo e fundit duhet të ketë rol primar në të ardhmen e saj, e jo Uashingtoni. Pra ato ishin shprehje e të njëjtave frekuenca antiamerikane. Kurse, në disa prononcime mediale, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka pohuar se ish-zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë sillej në zyret e LDK-së, si një zëdhënës i Vetëvendosjes, duke i ushtruar presion të parës për një koalicion të domosdoshme me të dytën, si pjesë e minimit të ndikimit amerikan edhe në vendin tonë.
Janë këto fakte që tregojnë se ajo që po e bënë sot presidenti Trump duke abdikuar në çështjet e sigurisë evropiane, nuk është asgjë tjetër pos një skenar i ëndërruar nga këta të fundit. Mirëpo siç thotë një proverb kinez “Zot ruajmë nga ëndrrat e mia, se ato mund të më realizohen”. Dhe tash kur ka ardhur koha që BE-së t’i jetësohen ëndrrat e saj, po del se ato paskan qenë një makth për të parën. Ndërkohë, presidenti Trump përsëri ua ka dhënë shansin. Ai po u thotë vendeve të BE-së, dërgoni forcat e juaja në Ukrainë si garantuese të paqes. Dëshmojeni veten. Sepse vendi në tavolinë nuk dhurohet, por fitohet. /TV Arbëria