I mbijetuari i masakrës së Poklekut, Fadil Muqolli, të cilit iu vra e gjithë familja 14-anëtarëshe, në emisionin “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmeti ka rrëfyer për gjendjen emocionale të personave të prekur nga lufta e fundit në vend.
Muqolli tha se për personat e tillë është shumë e vështirë, ndër tjerash ai tha se ka ditë kur ai dhe familja e tij nuk janë në gjendje të flasin me asnjë njeri, pasi siç tha ai, duan të qëndrojnë në heshtje dhe qetësi.
“Duhet me pasë kujdes me njerëz që janë të prekur në luftë, me anëtarë të familjes. Për neve është shumë, shumë e vështirë që ka ditë nuk jemi në gjendje me bisedu me dikend. Ka ditë që nuk jemi në gjendje me ni tu fol dikend, e dojmë me kanë në heshtje, me kanë në qetësi. Duhet me na kuptu njerëzit, unë flas për vete, mundohna me kanë gjithmonë në disponim me njerëz dhe me i përshëndet përpara njerëzit”, tha Muqolli në TV Arbëria.