Një nga të mbijetuarit nga masakra e Poklekut, Fadil Muqolli, të cilit iu vra e gjithë familja 14-anëtarëshe, ka qenë i ftuar në emisionin “Përtej Tregimit” në TV Arbëria.
Ai, përmes rrëfimit të tij, ka shpalosur përjetimet e tij që lidhen me këtë ngjarje, duke u shprehur se dhimbja për humbjen e familjarëve vetëm po shtohet për të.
Ai ka thënë se si familjarë që ka humbur më të dashurit e tij në luftën e fundit në Kosovë, ka pritur që të paktën që kjo masakër të dokumentohet në mënyrë zyrtare.
“Gjithmonë kam menduar që sa më shumë kohë të kalojë, do ta kem më të lehtë. Por mundem të them se sa më shumë kalon koha, dhimbja po më shtohet. Ndoshta edhe për atë që ne si familjarë kemi pritur prej shtetit, së paku që të dokumentohen në mënyrë zyrtare, së paku të kemi një numër zyrtar të njerëzve të vrarë dhe të masakruar, së paku të evidentohen vendet ku janë kryer masakrat, të kemi një pllakat ku të shkojmë t’i vizitojmë, t’i shohim ato gjurmë, të lexojmë se çfarë ka ndodhur në atë vend. Ndoshta edhe kjo na bën që neve të na bëhet edhe më e vështirë sa kohë që kalon. Është e tmerrshme të shkosh në një vend ku ka ndodhur një masakër dhe sot nuk ka asnjë gjurmë”, është shprehur ai në TV Arbëria.
Muqolli ka thënë se shtëpia e djegur në Poklek është dëshmi për gjeneratat e reja dhe ndërkombëtarët, për t’u treguar se çfarë tmerri ka ndodhur atje.
“Ajo shtëpi i duhet këtij vendi për gjeneratat e ardhshme, por edhe për ndërkombëtarët, për t’u treguar dhe për t’i bindur që në Kosovë ka ndodhur një gjenocid, një holokaust që fatkeqësisht është heshtur edhe prej ndërkombëtarëve për 20 vjet, dhe po ashtu edhe prej vendorëve, që është për keqardhje”, ka thënë Muqolli.