Javën e ardhshme pritet të fillojë procesi i numërimit të votave nga diaspora, atyre me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Kështu ka bërë të ditur për reporteri.net, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai ka deklaruar se numri i fletëvotimeve me kusht është 12 mijë e 801 dhe personave me aftësi të veçanta 2 mijë e 597 vota.
Elezi tha se votat me kusht do t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit, që përfshinë edhe krahasimin e listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.
Elezi ka sqaruar se në Qendrat e Numërimit po vazhdon të bëhet vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.
Elezi ka thënë se nga verifikimi i deritanishëm i mbi 48 mijë pakove, mbi 3 mijë janë refuzuar.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004 ndërkaq janë refuzuar 3,014. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë Elezi ka treguar se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 20,938 pako me fletëvotime.