Shkruan: Naser Krasniqi
Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë prodhuan një rezultat të çuditshëm: pothuajse të gjithë humbën, por të gjithë shpallën fitoren. Partitë politike, me një talent të jashtëzakonshëm për interpretimin kreativ të numrave, deklaruan “rritje” të votave – edhe kur rënia ishte më e dukshme se kurrë.
Nëse krahasojmë zgjedhjet e vitit 2021 me ato të 2025-s, realiteti është ky: Lëvizja Vetëvendosje (VV) pësoi një rënie të ndjeshme. Nga ana tjetër, PDK dhe LDK arritën një “përparim spektakolar” prej 3 ose 4%, një fitore aq e madhe sa mund të kërkojë mikroskop për t’u dalluar.
Listat e partive u mbushën me emra të rinj dhe me “akademikë” – term që tashmë nënkupton gjithçka, nga profesorë e mjekë deri te këngëtarë. Sepse në politikën kosovare, për të qenë kandidat nuk është e domosdoshme të kesh përvojë politike – mjafton të jesh dikush diku.
Fushata? Një arenë gladiatorësh, ku secili kandidat sulmonte kundërshtarin dhe lavdëronte veten. Sidomos lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili u angazhua maksimalisht për të goditur opozitën – ndonjëherë edhe më shumë sesa opozita godiste veten.
Në këtë atmosferë, kandidatët konkurronin edhe në nivel deklaratash:
“Në listën tonë kemi profesionistë nga fusha të ndryshme – profesorë, mjekë, inxhinierë, këngëtarë, etj”. Që, në përkthim politik, do të thotë: “Mjafton të jesh dikush diku, dhe je kandidat i denjë”.
Ose ajo e preferuara:
“Nuk ka kandidat më të denjë se i yni në këtë komunë dhe në këtë rrethinë”. Thënë ndryshe: “Ky është më i miri – sepse ne kështu themi”.
Por kur dolën rezultatet…
Në shumë komuna ku një parti kishte qeverisur, ajo i humbi zgjedhjet parlamentare. Madje, edhe aty ku politikanë me “peshë” (jo vetëm elektorale) ishin futur në garë, u mundën nga kundërshtarë që ndoshta as vetë nuk e kishin besuar se do të fitonin.
Pyetja më e sikletshme për PDK-në mbetet:
Si ndodhi që Edona Llalloshi (po, këngëtarja) e mundi Ritmin e Rrugës (Memli Krasniqin) në Prishtinë, ndërsa Dimal Basha e mposhti Elmi Reçicën në Ferizaj? Dhe si ndodhi që “akademik” Agim Bahtiri e mundi Bedri Hamzën në Mitrovicë, ku ky i fundit është kryetar komune dhe kandidat për kryeministër?
Një situatë që, me gjasë, ka shkaktuar netë të gjata reflektimi për liderët e PDK-së, sidomos për Elmi Reçicën dhe Bedri Hamzën.
Nejse… ndoshta nuk ndihen edhe aq keq, se gjithmonë mund të jetë edhe më keq…