Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së janë numëruar 97.55% e vendvotimeve, derisa kanë mbetur të numërohen vetëm edhe 62 të tilla, të cilat i takojnë komunave Prishtinë (31), Pejë (28) dhe Leposaviq (3).
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri më 20 shkurt 2025 janë numëruar 97.55% e vendvotimeve apo 2,471 nga 2,533. Procesi i numërimit ka përfunduar në 35 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në 3 komunat tjera: Leposaviq, Pejë, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në anën tjetër, përveç numrit të fletëvotimeve nga vendvotimet e rregullta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar edhe me verifikimin e pakove me fletëvotime nga votimi i diasporës përmes postës.
Rreth 70% e pakove të supozuara me fletëvotime që mërgimtarët i dërguan në kutitë postare që KQZ i kishte hapur në 22 shtete të ndryshme, përfshirë dhe kutinë postare në Kosovë, janë vlerësuar dhe verifikuar deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se sipas të dhënave nga rreth 70 mijë pako që ishin dërguar nga mërgata vetëm në votimin përmes postës, deri më 20 shkurt ky institucion ka vlerësuar 48,018, derisa kanë mbetur edhe 20,938 të tjera.