Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, i ftuar në “ARB Debat” me Rid Berishën, ka folur për gjendjen me mbeturinat në kryeqytet. Ai ka thënë se për të zgjidhur problemin, është shpallur gjendja emergjente.
Brestovci ka theksuar se gjendja e rënduar me mbeturina po shkaktohet me qëllime politike.
“Gjendja na ka detyruar të shpallim një gjendje emergjente, për të kërkuar pastaj mundësi ligjore brenda kornizave ligjore për të ndërmarrë hapa emergjentë për të zgjidhur këtë gjendje, e cila, fatkeqësisht, po shkaktohet me qëllime të caktuara. Sipas të gjitha prognozave dhe vlerësimeve që tani kemi, janë tentative dhe qëllime të ngjyrimit politik, sepse nuk mund të ketë arsye tjetër. Fakti që ne në gjysmën e dytë të vitit 2024 e patëm zgjidhur gjendjen shumë mirë, duke marrë disa veprime të cilat përfshinin furnizimin e një pjese të kryeqytetit me 1370 kontejnerë, por edhe angazhimin e një operatori ekonomik privat, i cili në masë të madhe e pati ndihmuar në kryerjen e këtij shërbimi, sidomos në zonën e qendrës, aty ku ishte caktuar për operim.”, ka potencuar Brestovci në ARB Debat. /TV Arbëria