Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci ka deklaruar se Ndërmarrja Publike “Pastrimi” dominohet nga Partia Demokratike e Kosovës.
I ftuar në emisionin “ARB DEBAT” me Rid Berishën, ai theksoi se gjatë kësaj jave do të dorëzojnë në Prokurorinë Speciale ftesë për hetim ndaj kësaj ndërmarrje, nën dyshimin për abuzim.
“Ka pasë një ndarje të ndërmarjeve në subjekte politike dhe natyrisht që ndërmarrja “Pastrimi” dominohet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kjo nuk është dicka e fshehur. Unë i bëj ftesë publike, besoj që gjatë kësaj jave do e adresojmë edhe një ftesë zyrtare Prokurorisë Speciale për të hetuar Ndërmarrjen “Pastrimi”, nën dyshimin se aty ka abuzim, nën dyshimin se aty nuk po i dilet qëllimshëm kryerjes së shërbimeve ndaj qytetarëve, nën pretekstin që mosefikasiteti i tyre në punë po e cenon shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit”, tha Brestovci në TVArbëria.