Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Gjykimi në Hagë: Më 4 prill përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë

Gjykimi në Hagë: Më 4 prill përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë

Më 4 prill do të përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e sotme në Gjykatën Speciale. Prokurorët thanë se kanë mbetur edhe 20 dëshmitarë, por që jo të gjithë do të dëshmojnë në Gjykatë.

“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jo-gojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha prokurori Matt Halling.

Ndërsa, prokurori James Pace njoftoi se për javën tjetër i kanë dy dëshmitarë për të dëshmuar dhe ata janë W4745 dhe W2766.

Pace theksoi se për mars e kanë një dëshmitar që do ta thërrasin. Kurse, shtoi se do të japin përditësime për dëshmitarët të tjerë që janë planifikuar për mars sapo të kenë përditësimet ata vetë.

“I vetmi dëshmitar i konfirmuar për bllokun e marsit është dëshmitari 04403”, tha ai, duke shtuar se planifikojnë të thërrasin edhe dëshmitarë të tjerë por që nuk i kanë konfirmuar ende për shkak të problemeve me sigurimin e tyre, bashkëpunimin me shtetet e treta, e tjera.

Një kërkesë sipas Rregullës 153 që parasheh pranimin e dëshmive të dëshmitarëve me shkrim, prokurori tha se do ta dorëzojnë brenda kësaj jave ku përfshihen katër dëshmitarë, dy prej të cilëve i ka kundërshtuar mbrojtja.

Pace theksoi se kanë mbetur vetëm 20 dëshmitarë që disa prej tyre do të kërkohet që të trajtohen sipas Rregullës 153, 155 etj.

Tre ish-krerët të UÇK-së ishin prezent në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes, ndërsa Thaçi nuk është i pranishëm për arsye shëndetësore.