Shkruan: Afrim Kasolli
Ashtu siç pritej, sot në Riad të Arabisë Saudite filluan bisedimet ndërmjet delegacionit amerikan të prirë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe nga Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov me qëllim ndalimin e luftës në Ukrainë.
Kjo ngjarje u parapri nga një telefonatë ndërmjet Presidentit amerikan Donalad Trump dhe atij rus Vladimir Putin, si dhe deklarimet e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për këto negociata Gjeneralit në pension Keith Kellogg, se bisedat e paqes do të fillojnë shpejt dhe se ato do të mbahen drejtpërdrejtë ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, duke i përjashtuar shtetet e BE-së. Apo edhe vetë Ukraina do të ndodhet para imponimit “take it or leave it” (merre ose leje).
Zhvillime këto që i alarmuan disa nga kryeqendrat e shteteve të BE-së. Për këtë arsyeje edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ftoi të hënën disa nga krerët e shteteve evropiane në takim urgjent për ta adresuar këtë përjashtim. Të njëjtit pas takimit e konfirmuan zotimin e tyre, se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa pranimin e saj nga ky shtet si dhe pa pjesëmarrjen edhe të Evropës në finalizimin e saj. Ndërkohë, u duk se Uashingtoni e zbuti qëndrimin e tij fillestar, duke pohuar se nuk do të negocioi prapa shpinës së Evropës dhe Ukrainës.
Sidoqoftë, duke marrë parasysh natyrën e konfliktit në Ukrainë është e pritshme që ai nuk mund të ndalet nga një telefonatë e vetme apo një takim diplomatik. Por ai do të tregojë se a do të shkohet në atë drejtim apo jo. Nuk ka dyshim se këto biseda po marrin jetë në kohën më të papërshtatshme Ukrainën, kur “ushtria e saj po përballet me kaos”, humbje territoriale si dhe vështirësi politike dhe ekonomike. Pra fillimi i tyre po ndodh, jo sipas strategjisë së presionit maksimal mbi Moskën, por mbi Kievin. Kurse se si do të duket pak shumë plani i paqes, e ka bërë të qartë Sekretari amerikan e Mbrojtjes Pete Hegseth, i cili deklaroi se as nuk mund të pritet që Ukraina t’i rikthejë mbi 20 për qind të territoreve të humbura, e as anëtarësimi i saj në NATO. Po ashtu, forca e mundshme paqeruajtëse duhet të përbëhet nga trupat evropiane dhe se ajo nuk do të veprojë nën nenin 5 të traktatit të NATO-së.
Nuk ka dyshim, se këta hapa, shihet qartë se kanë për qëllim ta joshin Putinin për paqe. Shumë kush këtë kthesë e ka parë si braktisje të luftës mbrojtëse të një populli kundër imperializmit të Kremlinit. Ish-Kryeministri i Suedisë, Carl Bildt e ka krahasuar atë më Marrëveshjen e Munihut, kur në prag të Luftës së Dytë Botërore, Britania ishte pajtuar ta legjitimonte pushtimin e krahinës gjermanisht folëse Sudetenland në Çekosllovaki me qëllim që të shmanget edhe një luftë më e madhe. Apo të tjerë, se impulset e Donald Trump që vetëm ta ruajë imazhin e tij si president i paqes dhe etja tij për ta fituar Çmimin Nobel për Paqe, janë duke e quar në këto lëshime fatale.
Mirëpo, përtej këtyre analogjive historike dhe shtytjeve personale megjithatë kjo kthesë e befasishme amerikane ka të bëjë edhe më faktin se vazhdimi i kësaj luftë po i rrezikon interesat e Uashingtonit në vatra tjera gjeopolitike. Sanksionimi dhe izolimi i Rusisë nga Perëndimi, nuk e ka gjunjëzuar atë por e ka afruar gjithnjë e më shumë me armiqtë tjerë të SHBA-ve, si Irani dhe Kina. Madje, kjo e fundit është bërë një lloj patroni i së parës. Kurse kushdo qe e ka pasur rastin ta përcjell vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, në Lindje të Mesme, e ka parë se shqetësim kryesor aktualisht i SHBA-ve në atë rajon mbetet Irani. Ai ka pohuar se prapa çdo akti terrorist dhe destabilizimi të rajonit qëndron Tehrani. Prandaj, nuk mund të ketë shtegdalje nga ky rreth vicioz i dhunës pa ndëshkimin e tij. Dhe kjo vështirë të bëhet pa tjetërsimin e raporteve ndërmjet Rusisë dhe Iranit. E të mos flasim për imperativin tjetër strategjik të SHBA-vë për ta çarë aleancën pa limit ndërmjet Kinës dhe Rusisë. A do t’ia arrij këtë qëllim mbetet të shihet.
Por, janë pikërisht këto dinamike gjeopolitike që e kanë shtruar si nevojë urgjente zbutjen e Uashingtonit në raport me Rusinë, që shihet si parakusht për ta tërhequr drejt vetës, kundër rivaleve të saj kryesorë strategjikë që tashmë nuk janë në Evropë, por në Azi. Rikonfigurim ky, që mund të mos jetë i knqëshëm për interesat Kievit.
E kur jemi të analogjitë historike për t’i dhënë fund luftës, siç shkuan CNN, duket që modeli më i ngjashëm që po imponohet mbi Ukrainën është ai Gjermanisë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ky shtet u nda në pjesën perëndimore të lidhur strukturat euro-atlantike si dhe atë Lindore nën kontrollin sovjetik. Mirëpo, edhe në këtë rast krahasimi nuk është i plotë, sepse është Rusia që e ka sulmuar Ukrainën dhe jo e anasjelltas. Po ashtu, Gjermanisë Perëndimore i ishte lejuar anëtarësimi në NATO, kurse në rastin e Ukrainës, jo vetëm territoret e pushtuara të saj, por edhe anëtarësimi i pjesës tjetër nuk shihet si opsion. Kuptohet ka edhe dallime tjera. Sepse Gjermania Lindore, kishte hyrë në raporte ndërshtetërore me vendet tjera, diçka që nuk duket ta kenë të njëjtin fat territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.