Dy bashkëluftëtarët dhe bashkëshortët, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, kanë marrë këtë titull po ashtu nga Osmani, në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë.
“Me të njëjtin frymëzim, bazuar në vendimet paraprake, sot i dorëzojmë Urdhrat Hero i Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy bashkëluftëtarë dhe bashkëshortë që ranë ashtu siç jetuan – bashkë, me armët në duar dhe me idealin e lirisë së ngulitur në shpirt”, tha Osmani.
Presidentja tha se shumë gra të tjera që sakrifikuan po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, ato që sipas saj nuk kishin marrë më parë këtë nderim nga shteti.
“Lufta nuk ishte vetëm e burrave; ajo ishte një betejë e përbashkët ku gratë si Xhevë Lladrovci, Yllka Domi, Lumnie Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Mukadeze Lika-Muhaxheri e shumë gra të tjera dhanë po aq, sakrifikuan po aq, ndaj sot, më në fund, po marrin vendin që u takon në histori duke ju ndarë Urdhrin Heroina të Kosovës, atyre për të cilat kjo nuk kishte ndodhur më parë”, tha Osmani.
Ajo theksoi se emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare
“Vajza dhe gra, qëndrestare e luftëtare, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke dëshmuar se çlirimi i këtij vendi nuk ishte vetëm një betejë burrash, por një përpjekje e përbashkët ku gratë ishin në vijën e parë të luftës. Emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë të skalitur në historinë tonë kombëtare”, tha presidentja.//EO