Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, në një intervistë për TV Arbëria, në ARB Debat me Rid Berishën, është shprehur i ashpër kundër Gjykatës Speciale në Hagë. Ai ka thënë se kjo gjykatë është e padrejtë që sulmon UÇK-në dhe individët.
“Ne kemi dëshmitarë që po i prezantojmë këtu, ku ka dhënë një deklaratë në kohë lufte. Dihet, i kanë torturuar, e keni parë atë plakin kur ia ngulin thikën, dhe ai thotë: ‘Shtatë, o sa me thanë’. Një dëshmitar i tillë, që ka thënë në kohë lufte si rob lufte, e marrin tani dhe e pyetin. Kjo gjykatë i thotë: ‘A e ke thënë me presion, apo pa presion?’ Ai ka pasur mundësi aty ta thotë: ‘Kam qenë në kohë lufte’, por thotë: ‘Jo, pa presion e kam thënë’.
Kanë bërë dy gjëra të këqija: së pari, e kanë legalizuar formimin e një gjykate të padrejtë që sulmon UÇK-në dhe individët, e cila është edhe selektive për shqiptarët; dhe së dyti, e kanë legjitimuar si të drejtë dhe demokratike marrjen në pyetje në kohë lufte dhe torturat, i kanë legjitimuar këto veprime,” është shprehur Haradinaj në ARB Debat.
Ai gjatë intervistës thotë se ka kërkuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që të ndërmarrë hapa kundër këtyre padrejtësive, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Këto çështje ia kam kërkuar ministres së Drejtësisë, kur ka qenë në burg në vizitë. Ia kam treguar edhe rrugën si të veprojë, unë personalisht ia kam thënë, dhe ka premtuar që do ta bëjë. Ajo do të tregojë kush e ka ndaluar, ka premtuar që do ta dërgojë porosinë tek kryeministri. I kemi treguar rrugë ligjore, përmes gazetave më të njohura, të cilat kanë shkruar edhe për formimin e kësaj gjykate. Ne kemi kërkuar njerëz profesionalë që kanë guximin të flasin për një gjykatë profesionale,” ka thënë ai.
Haradinaj tregon në TV Arbëria se janë dashur vetëm 100 mijë euro për një vit, për të raportuar nga mediat ndërkombëtare për punën e Gjykatës Speciale, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“A e dini sa ka qenë çmimi? 6 gazetat më të mëdha botërore për ta monitoruar dhe për të shkruar secila nga tre artikuj për gjykatën, ka qenë 100 mijë euro për vitin. Nuk ka ndodhur kjo,” ka thënë ai.
“99 kërkesat që i bën mbrojtja, ata i refuzojnë; një kërkesë ia pranojnë. 99 kërkesa që i bën prokuroria, ua pranojnë, një e refuzojnë. Edhe bëjnë pyetje orientuese dhe sugjeruese, sidomos gjyqtarit që ka humbur laptopin. Ai laptop do të vijë tek unë, jam shumë i sigurt. Dy gjyqtarëve u ka humbur laptopi, dhe ata laptopë besoj kanë me ardhur tek unë…” ka thënë ai tutje në ARB Debat. /TV Arbëria