Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në një ceremoni të veçantë, Osmani ka ndarë dekoratën e parë për Shaban Jasharin, kryefamiljarin e familjes Jashari.
“Në 17-vjetorin e Pavarësisë sonë, po i bëjmë bashkë historinë, sakrificën dhe krenarinë e këtij kombi në një akt solemn, dekorimin e atyre që e bënë Kosovën të lirë dhe shumë të tjerëve që edhe sot vazhdojnë të ndihmojnë ecjen tonë përpara. Në këtë ditë të shenjtë, në këtë moment solemn, ne nuk po përkujtojmë vetëm një datë, ne po nderojmë një epokë të lavdishme. 17 vjet liri, 17 vjet shtet, 17 vjet betejë për t’i treguar botës se Kosova është e përjetshme”, tha Osmani.
Osmani tha se dekorimi i sotëm i familjes Jashari në tërësi vjen si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës.
“Me të drejtë, Komandanti Adem Jashari, Hamza, e shumë të tjerë, janë nderuar me Urdhrin Heroi i Kosovës. E sot, titullin hero, do t`ia ndajmë Shaban Jasharit, kryefamiljarit të familjes Jashari. Por, deri më sot, familja Jashari si e tillë, si emblemë e lirisë dhe simbol i sakrificës sublime, nuk është dekoruar në tërësi për heroizmin, sakrificën dhe qëndresën e saj të pashembullt. Dekorimi i sotëm i familjes Jashari në tërësi vjen si një akt që synon ta plotësojë këtë mungesë historike, duke e njohur sakrificën e përbashkët të çdo anëtari të familjes që qëndroi dhe luftoi për lirinë e Kosovës”, tha Osmani.
Presidentja Osmani theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për të riafirmuar se shteti i Kosovës nuk e harron sakrificën më sublime të historisë sonë moderne, por e nderon atë në mënyrë të merituar dhe të plotë.
Ndërsa vajza e heroit të kombit, Hamëz Jashari, tha se rruga deri te Pavarësia nuk ka qenë e lehtë, teksa falënderoi edhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën në shtetndërtim. “Jam e nderuar që jam në mesin e juaj për 17-vjetorin e Pavarësisë. Duke qenë sot që prezenca ime ka qenë me atë që përfaqësoj, po e nisë me thënien e Hamëz Jasharit, ku thoshte ‘ndoshta firohet liria me laps po neve në Kosovë na mungojnë varrezat e dëshmorëve’. Populli i Kosovës gjithmonë ka dashur dhe kërkuar lirinë, rruga deri në 17 shkurtin e 2008 nuk ka qenë e lehtë, është dashur edhe veprim edhe vet mohim, andaj faleminderit edhe kombeve që na kanë mbështetet dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës, sot me kënaqësi të veçantë pasi po nderojmë 59 dëshmorët e Prekazit”, u shpreh ajo.//EO