Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kurti jep detaje rreth takimeve që pati në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Kurti jep detaje rreth takimeve që pati në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka dhënë detaje rreth takimeve që ka realizuar në edicionin e 61-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se siguria ishte kryefjala, madje edhe kur nuk përmendej, transmeton Arbresh.info.

Postimi i Kurtit:

Me Gjenerallejtënantin amerikan Michael Fenzen theksuam gatishmërinë e përfshirjes së Kosovës në nisma globale të udhëhequra e të koordinuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me Kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir diskutuam për përfitimet e dyanshme nga Marrëveshja për Tregti të Lirë e Kosovës me shtetet anëtare të EFTA-s, të cilën e nënshkruam në janar.

Me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan folëm për marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunimin e afërt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić shqyrtuam mundësi të reja të partneritetit në mbrojtje dhe veçanërisht bashkëpunim në fushën e industrisë ushtarake.

Ndërkaq në takim me ministrin e Financave të Gjermanisë, Jörg Kukies veçuam rëndësinë e shtimit të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të huaja direkte nga Gjermania krahas marrëdhënieve të forta bilaterale në siguri e mbrojtje.

Bashkëbisedime patëm edhe me emisarin e ri të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, Kryetaren e Grupit të Miqësisë Kosovë-Finlandë në parlamentin finlandez, Tytti Tuppurainen dhe Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik, Ted Deutch.

E ndërmjet takimeve, patëm edhe më shumë diskutime e shkëmbime me liderë të tjerë e miq të shumtë në hollet e Hotelit Bayerischer Hof, në darkën e shtruar nga Kancelaria e shtetit të Bavarisë, drekën e shtruar për Ukrainën, tryezën e diskutimit për taktikat hibride ruse në Evropë e drekën e punës të organizuar nga Këshilli Atlantik.