Në zgjedhjet e vitit 2021, Vjosa Osmani garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, me në krye Albin Kurtin. Këto zgjedhje dolën mjaft të suksesshme për të dy figurat politike.
Vjosa Osmani në atë kohë printe e para si më e votuara me 300.788 vota, ndërsa VV-ja siguroi 58 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke dalë e para në zgjedhje. Pas këtyre zgjedhjeve, Osmani u bë presidente e Kosovës dhe kryeministër Albin Kurti.
Në paraqitje publike dhe në fushata, të dy emrat, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, deri pas fitores, raportet mes tyre dukeshin krejtësisht në rregull dhe pa lënë vend për diskutime.
Por kjo nuk vazhdoi shumë, sidomos në këto dy vitet e fundit, raportet Kurti-Osmani janë vlerësuar si të ftohta.
Në vitin 2022, Konferenca e Sigurisë në Mynih ishte thuajse pikënisja e prishjes së raporteve mes dy liderëve të Kosovës. Zyra e kryeministrit në atë kohë njoftoi se drejt kësaj ngjarjeje janë nisur për të përfaqësuar Kosovën, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Në të njëjtën ditë, edhe Presidenca njoftoi se Osmani kishte udhëtuar drejt Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Një tjetër pikë që bëri të qartë se raportet Qeveri-Presidencë nuk ishin në nivelin e duhur ishte dhe letra e Gërvallës drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, me qëllim që kjo letër do arrinte ta fuste Kosovën në agjendën e takimit të tyre.
Gërvalla shkruante mbi përgatitjen e një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim. Pritshmëritë ishin që, pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të merrte një vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, por kjo nuk ndodhi.
Osmani letrën e Gërvallës e konsideroi të gabuar, ku këshilltari i saj, Bekim Kupina, tha se presidentja nuk ishte e njoftuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, edhe fjalimi i presidentes Osmani, në Kuvendin e Kosovës, në nëntor të vitit 2024, u cilësua si “goditje” për kryeministrin Kurti.
Ndërkohë, së fundmi, dy krerët e shtetit, Osmani dhe Kurti, ndodheshin në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku një foto e publikuar bashkarisht nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka ngjallur reagime mbi raportin Kurti-Osmani.
Lidhur me këtë foto ka reaguar analisti politik, Afrim Kasolli, duke thënë se kjo është një arritje e madhe për diplomacinë e vendit.
“Një arritje e jashtëzakonshme diplomatike e shtetit të Kosovës. Pas shumë muajve armiqësie, më në fund ambasadori Ajeti ia doli t’i bëjë bashkë në një foto kryetaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti,” ka shkruar Kasolli.
Kasolli e vazhdon ironinë e tij duke thënë se Donika Gërvalla mungon në foto, dhe me këtë rast nuk mund të quhet një pajtim i plotë.
Në fund të kësaj ngjarjeje, tre përfaqësuesit e Kosovës, Kurti, Osmani dhe Gërvalla, nuk u përshëndetën mes vete. Kjo mund të shihet edhe në videon më poshtë: /TV Arbëria