Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ia dërgoi Kosovës “urimet më të mira” për 17-vjetorin e pavarësisë, nëpërmjet një letre dërguar presidentes Vjosa Osmani.
Aty, Trump shkruan se ndërsa SHBA punon me fqinjtë e Kosovës për ndërtimin e një rajoni më të begatë dhe më të sigurt, Kosova duhet “ta thellojë integrimin e saj në komunitetin euroatlantik”.
Letra e plotë e Presidentit Trump:
E nderuara Zonja Presidente,
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për Ju dhe popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si një komb sovran është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.
Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për të ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet mes popujve tanë janë të forta dhe presim me kënaqësi t’i zgjerojmë më tej këto marrëdhënie, përfshirë përmes mundësive të shtuara të investimeve, për të sjellë më shumë mirëqenie për të dy kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën për t’i forcuar institucionet demokratike dhe për të nxitur rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.
Shtetet e Bashkuara presin ta ndërtojnë një marrëdhënie edhe më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin që vjen. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjtë e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të thellojë integrimin e saj në komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet jashtëzakonisht shumë.
Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një moment për të nderuar arritjet e së kaluarës si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe marrëdhënieve më të thella mes kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë feste.