Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Sporti, ambasadori më i fuqishëm i Kosovës në botë

​Sporti, ambasadori më i fuqishëm i Kosovës në botë

Sporti po konsiderohet se po luan rol kyç në afirmimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Medalje të shumta elitare evropiane e botërore i janë dhënë Kosovës përmes triumfit të shumë sportistëve në podiume të shteteve e në gara të mëdha ndërkombëtare si në sportet individuale ashtu edhe në ato ekipore.

Xhudoja mbetet padyshim ndër më të suksesshmit në 17 vjetët e shtetësisë së Kosovës. Nga tri pjesëmarrje në olimpiada, xhudoja ka sjellë në Kosovë hiç më pak se pesë medalje olimpike.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, thotë se në shumë shtete që nuk e njohin Kosovës kanë hasur në pengesa, por që përkundër të gjithave flamuri i Kosovës është ngritur lart fal performancave të jashtëzakonshme të xhudistëve e xhudisteve të vendin tonë.

“Ne si sport në përgjithësi, por si sport i xhudos në veçanti, mendoj që kemi bërë maksimumin për promovimin e shtetit tonë me anë të sportit të xhudos…Përveç lehtësimeve që na i ka sjellë pavarësia e Kosovës, natyrisht që kemi pasur edhe sfida. Sfidat më të vështira i kemi pasur natyrisht në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, njëra nga ato ka qenë Rusia por jo vetëm, megjithatë ia kemi dal që edhe në Rusi ta ngremë flamurin përkundër kundërshtimeve të tyre kemi arritur që në Kampionatin Evropian në Rusi kemi arritur që ta ngremë flamurin dhe të intonohet himni i shtetit të Kosovës. Sporti i xhudos i ka thyer të gjitha ato barriera dhe pengesat”, tha Kuka.

Profesori universitar dhe trajneri i futbollit Malsor Gjonbalaj konsideron se është pikërisht sporti ai që po ia bën prezantimin më dinjitoz të mundshëm në rrafshin ndërkombëtar dhe se shteti duhet të investojë më tepër në këtë drejtim.

“Ndonëse vij nga dega e futbollit dhe mendoj që futbolli është prej sporteve më masive që ka dhënë kontributin më të madh për shkak të masivitetit që e ka, megjithatë të arriturat e të gjitha sporteve, basketboll, volejboll e kështu me radhë por në radhë të parë të medaljeve olimpike të xhudos dhe kontributin që ka dhënë Federata Xhudos, trajneri Driton Kuka, sportistet me në krye Majlinda Kelmendin e cila ka qenë e para ajo e cila ka përfshirë gjithë globin me përfaqësimin e emrit të saj, me identifikimin si shtetase e Kosovës dhe me të arriturat më të larta sportive siç është medalja olimpike. Prandaj mendoj që sukseset tona, prezantimi ynë me dinjitet ka mundësuar që Kosova të njihet më shumë dhe në këtë aspekt mendoj që sporti duhet të merr edhe nga institucionet shtetërore gjithë atë që jep”, tha Gjonbalaj.

Si rezultat i të gjitha këtyre sukseseve Kosova tashmë ka siguruar të drejtën dhe ka marrë besimin për organizmin e ngjarjes më të madhe sportive në histori për vendin – Lojërat Mesdhetare në vitin 2030. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, kjo ngjarje ka efektin e shumëfishtë të benefiteve për shtetin e Kosovës.

“Sporti ka luajtur rolin kyç në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare duke marrë parasysh që sportistët tanë janë yjet që përfaqësojnë shtetin tonë në mënyrën më të mirë. Mendoj që janë disa momente kyçe të sportit të Kosovës që kanë afirmuar shtetin tonë, fillimisht mendoj që është anëtarësimi i Komitetit Olimpik në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, pastaj medaljet olimpike të cilat i kanë sjellë një famë të jashtëzakonshme sportit të Kosovës, natyrisht është edhe suksesi i sporteve ekipore, sidomos sportit të futbollit, i cili ka shënuar disa rezultate të jashtëzakonshme dhe tani mendoj që momenti kyç i pjesës së përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ka qenë pikërisht kur kemi dëshmuar se jemi të gatshëm edhe të organizojmë ngjarje të mëdha sportive, sidomos ato multisportive ndërkombëtare dhe kjo është momenti kur kemi fituar të drejtën për t’i organizuar Lojërat Mesdhetare në viti 2030, ngjarje kjo e cila e ka efektin e shumëfishtë të benefiteve për shtetin e Kosovës”, tha Aliti.

Ndryshe, kampionatet evropiane për gjeneratat e reja edhe këtë vit do të organizohen në Kosovë në sporte si hendboll, volejboll, basketboll e karate./kp