Gjatë ditës së diel kur edhe u mbajtën zgjedhjet presidenciale në vend, Policia e Kosovës njoftoi se ministri aktual i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe familjari i tij, Fuad Damka, u arrestuan në Prizren për veprat penale “sulm” dhe “kanosje ndaj dy personave”.
Bazuar në Dosjen e Prokurorisë, dy të dyshuarit pretendohet se fillimisht i kishin sulmuar fizikisht dy anëtarët e Partisë Turke të Lëvizjes Novatore, e më pas i kishin kërcënuar se do t’i privonin nga jeta duke iu drejtuar me fjalët: “Ju kalli të gjithëve, ju vras”.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në një park, në lagjen “Kurile” në Prizren, pikërisht në ditën e Zgjedhjeve.
Derisa arrestimi i ministrit Damka ngriti pyetje serioze në opinionin publik rreth integritetit institucional dhe llogaridhënies në nivelet më të larta të qeverisë. Damka si i përfshirë tashmë në aktivitete penale, ka vënë në qendër të vëmendjes procedurat ligjore që ndiqen kur zyrtarët e lartë akuzohen për shkelje të ligjit.
E si trajtohen rastet e tilla, avokati dhe njohësi i çështjeve juridike, Ardian Bajraktari në një prononcim për TV Arbëria, ka deklaruar se personat që janë të mveshur me imunitet siç është në këtë rast ministri Damka, nuk kanë trajtim ndryshe nga personat e tjerë.
Kjo pasi sipas Bajraktarit, imuniteti nënkupton vetëm mbrojtje nga ndjekja penale, shkruan TV Arbëria.
“Personat të cilët janë të mveshur me imunitet në kuadër të cilave përfshihet edhe pozita e ministrit, janë subjekt i çështjeve penale, ata nuk kanë trajtim ndryshe nga personat e tjerë nga qytetarët e tjerë për faktin se siç njihet nocioni i imunitetit edhe në Kushtetutë por edhe në interpretimin që i është bërë të njëjtit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, imuniteti nënkupton vetëm mbrojtje nga ndjekja penale dhe forma të tjera”, tha ai.
Derisa shtoi se “vetëm sa i përket çështjes së fushëveprimit, përkatësisht detyrave dhe përgjegjësive që ndërlidhen me funksionin që do ta mbajë dhe në rrethana të tjera përfshirë edhe ministrat por edhe personat e tjerë të cilët janë janë të mveshur me imunitet, nuk dallojnë së trajtuari nga qytetarët tjerë të rëndomtë”.
Ndryshe, Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Turk Partisi), ka reaguar menjëherë pas arrestimit të kryetarit të saj, Fikrim Damkës, duke thënë se kishin qenë të provokuar.
Madje sipas KDTP-së, ishte provokim nga qarqe të caktuara që synojnë të lënë në hije zgjedhjet.
“Fatkeqësisht, mbrëmja e djeshme, paraburgimi i Presidentit tonë dhe ministrit të turqve të Kosovës, z. Fikrim Damka, na ka shkaktuar pikëllim dhe zhgënjim të madh. Ne deklarojmë se do të qëndrojmë me vendosmëri kundër këtij veprimi, i çili mendojmë se është një provokim nga qarqe të caktuara që synojnë të lënë në hije zgjedhjet. Si Parti Demokratike Turke e Kosovës, ne qëndrojmë pranë Presidentit tonë dhe Ministrit të Zhvillimit Rajonal z. Fikrim Damka me mbështetjen e popullit tonë. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat, ligjin dhe unitetin e turqve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Teksa Qeveria nuk është deklaruar në lidhje me rastin në fjalë.
Ndërsa institucionet e drejtësisë vazhdojnë hetimet, ky zhvillim përbën një moment për të testuar funksionimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë/ E. Salihu./TV Arbëria./