Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ish-ushtari i UÇK u ndalua në Bllacë, reagon BDI: Të rishikohet praktika e zbatimit të fletëarrestimeve nga Serbia

Ish-ushtari i UÇK u ndalua në Bllacë, reagon BDI: Të rishikohet praktika e zbatimit të fletëarrestimeve nga Serbia

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së,  Bajram Emini, ka shkaktuar reagime në qarqet politike shqiptare në Shkup. Sipas REL, reagimi i parë vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm. BDI i bëri thirrje Qeverisë ta rishikojë praktikën e zbatimit të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të z. Bajrami dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të rishikojë urgjentisht praktikën e ekzekutimit të fletarresteve të Serbisë.

Nuk mund të lejojmë që shteti ynë të bëhet mjet i politikave të Beogradit, në dëm të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e BDI-së. Ndaj Eminit, gjykatësi kujdestar pritet të sjellë një vendim – lirim apo paraburgim në pritje të ekstradimit.

Verën e vitit të kaluar, autoritetet në Maqedoninë e Veriut ndaluan edhe një tjetër ish-ushtar të UÇK-së, Blerim Ramadani, bazuar po ashtu në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, më 18 nëntor, kishte lënë të kuptohet se Shkupi nuk do të vazhdonte t’i zbatote fletarrestimet e lëshuara nga Serbia përmes Interpol-it.

Kur ishte pyetur në lidhje me kërkesat e Serbisë për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Mickoski kishte thënë se “kushdo që nuk i shkel ligjet” e vendit të tij është i “mirëpritur” në Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, më vonë, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, theksoi se deklaratat e Mickoskit ishin “keqkuptuar”, dhe se fletarrestimet e lëshuara nga Interpol-i me kërkesë të Serbisë do të vazhdojnë të jenë të zbatueshme në Maqedoninë e Veriut.