Serbia feston sot Ditën e saj Kombëtare e ndarë në tri tubime – një ceremoni shtetërore u mbajt në Orashac, lëvizja studentore organizoi një aksion masiv “Të takohemi në Sretenje” në Kragujevc dhe Partia Progresive Serbe në pushtet ftoi mbështetësit në një tubim të Aleksandar Vuçiq sonte në Mitrovicën e Sremit, ku mori pjesë edhe miku i tij, kreu i Republikës Serbe Milorad Dodik.
Studentët, të cilët kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete në katër qendra universitare shtetërore për gati tre muaj, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, po protestojnë sot për 15 orë në Kragujevc, pas një marshimi treditor.
Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur sonte edhe në Sheshin e Republikës në Beograd.
Ndërsa protesta e tyre do të vazhdojë deri në orën 00:07 pas mesnatës, Vuçiq ka zgjedhur të mbajë miting në Mitrovicën e Sremit me mbështetësit e Partisë Progresive Serbe.
Në rrugën drejt këtij qyteti të Vojvodinës janë vërejtur një numër i madh i autobusëve me targa të qyteteve nga BeH, ku sipas mediave serbe thuhet të jenë rreth 800-900 persona.
Tubimi filloi me fjalimin e Dalibor Stojanoviq, student nga ky qytet dhe mjek me origjinë nga Kosova, i cili u kthye në Serbi nga Norvegjia.
Presidenti Vuçiq tha se Serbia është e kërcënuar nga jashtë dhe se “nuk e kanë për qëllim rrëzimin e tij dhe sjelljen e dikujt tjetër, por qëllimi i tyre është rrëzimi i Serbisë.”
Vuçiq tha se përpjekjet për një revolucion me ngjyra kanë mbaruar dhe se tani është koha që njerëzit të thonë se çfarë të ardhme duan. Ai u bëri thirrje studentëve që të mendojnë për të ardhmen e tyre.
“Shpallni fitoren, i keni plotësuar të gjitha kërkesat, kthehuni në stol, ky vend ka nevojë për dije”, tha ai.
Ndërsa, Milorad Dodik deklaroi se erdhi në miting për të thënë se “Republika Serbe e do Serbinë dhe se të gjithë janë serbë.”
“Unë nuk dua të shikoj askënd që po shkatërron Serbinë. Nuk më pëlqen asnjëri prej tyre. Nuk mund ta duroj të drejtën e tyre të mendojnë ndryshe nëse nuk e duan Serbinë dhe jetojnë këtu, por disi jam dakord që ata duhet të kenë një mendim tjetër. Republika Serbe dhe Serbia bashkojnë popullin serb dhe dëshmojmë se nuk jemi as këta, as ata, as boshnjakë, as kosovarë, as serbë malazezë. Ne jemi serbë,” tha Dodik.