Gjatë ditës së hënë në Kosovë filloi fushata për bojkotimin e marketeve të mëdha për shkak të çmimeve të larta, bojkot ky i cili po vazhdonë edhe në fundjavë, 15-16 shkurt.
Sipas organizatorit, Xhevat Kastrati ky bojkot erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve. Iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve, iu bashkuan qytetarët duke theksuar se shteti duhet të ndërmarrë masa për të ndaluar këtë dukuri.
E njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa po konsideron se iniciativa të tilla janë efektive për ngritjen e vetëdijes te bizneset.
Ai në një prononcim për TV Arbëria tha përkundër kësaj, institucionet shtetërore do të duhej të përgatitnin ligjin për produktet bazike dhe siç tha ai, të caktohej marzha e çmimeve tavan dhe çmimeve dysheme.
“Paralajmërimi per bojkotin e marketeve për të luftuar rritjen e çmimeve është një nga mjetet efektive për të ngritur vetëdijen te bizneset se nuk duhet të dëmtojnë jetën e konsumatorit dhe ekonomitë familjare. Por instrument shume ma i efektshëm do të ishte pergaditja e një ligjit për produktet bazike që do tē caktohej marzha e çmimeve tavan dhe çmimeve dysheme dhe çmimet duhet të korrektohen dhe jo të caktohen çmime administrative apo fiktive”, tha Bellaqa.
Më tej ekonomisti, theksoi se “duhet te kemi si shoqëri dhe shtet një listë të produkteve strategjike dhe duhet të rriten rezervat shtetërore që të reagonte nē situata emergjente dhe të ketë politika të çmimeve dhe shteti dhe ekonomia ta plotësojnë njëra tjetrën”, shtoi ai.
Kujtojmë që iniciativa ka marrë mbështetje në rrjete sociale, ku është formuar një grup i qytetarëve që kanë bërë thirrje për bojkotin, i cili ka fituar mbështetje nga më shumë se 6 mijë qytetarë, ndërsa mbi 200 mijë të tjerë janë informuar për të.
Derisa edhe kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka përkrahur këtë iniciativë, duke theksuar se epoka e mashtrimeve dhe çmimeve spekulative ka mbaruar. Sipas tij, “çmimet në Kosovë janë të kurdisura dhe duhet të jenë më të ulëta se në vendet e origjinës”.
Një iniciativë e tillë fillimisht u mor në disa vende të rajonit, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Ndryshe, Qeveria në tetor të vitit 2022 kishte miratuar Ligjin për Çmimet Tavan në Produktet Bazë, por opozita e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë në nëntor të vitit 2023 e kishte shpallur të pavlefshëm. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar në dhjetor të vitit 2024 ka qenë 17.5%. Sipas ASK-së, eksporti në dhjetor ka qenë 69 milionë euro, ndërsa importi 631.1 milionë euro./ E.Salihu./TV Arbëria./