Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ‘Bojkotimi i marketeve në Kosovë vazhdon edhe në fundjavë’ – Thirren qytetarët për mbështetje!

‘Bojkotimi i marketeve në Kosovë vazhdon edhe në fundjavë’ – Thirren qytetarët për mbështetje!

Gjatë ditës së shtunë dhe të diel, do të fillojë përsëri fushata e bojkotimit të marketeve në vendin tonë.

Vetëm të hënën e 10 shkurtit rreth 10 mijë qytetarë i janë bashkuar thirrjes për bojkot, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për çmimet e larta.

E organizatori, Xhevat Kastrati, beson se do të ketë edhe më shumë përkrahje kësaj radhe nga qytetarët.

“Kemi hasë në mbështetje të plotë prej disa ojq-ve të ndryshme dhe qytetarë prej gjithë vendit. Aktualisht kemi gati 8 mijë anëtarë në grupin tonë në Facebook, Kosova Bojkoton, si dhe mijëra shpërndarje të postimeve tona në Instagram. Kjo tregon që qytetarët janë shumë të lodhur e të rënduar nga çmimet e larta. Mendojmë se mbi 10 mijë qytetarë e kanë respektuar thirrjen për bojkot. Besojmë që kemi edhe më shumë përkrahje dhe vetdijësim qytetar kësaj radhe. Shpresojmë që qytetarët do të jenë edhe më të bashkuar në thirrjen për bojkot, këtë herë”, tha ai.

Kurse Selatin Kaqaniku nga shoqata “Konsumatori”, thotë se është koha që marketet dhe qeveria të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve dhe të fillojnë një dialog mes tyre.

“Bojkoti i heshtur ka nis sot sepse sot është dita e të dashuruarëve dhe ne në heshtje jemi marrë vesh që dashurisë ti falim dashuri e jo gjëra të blera me çmime të rritura sepse për festa neve gjithmonë na ofron artikuj me çmime të rritura. Dmth sot ka nisur por kjo pezullohet në heshtje dhe nuk po bëhet e madhe, por nesër dhe pasnesër ne do të vazhdojmë me shpejtësinë e dytë, shpejtësinë e parë e patëm me 10 -të, vazhdojmë me shpejtësinë e dytë, dhe të dielën vazhdojmë me shpejtësinë e tretë dhe të shohim pastaj të bëjmë analizat se ku jemi, Nga shpejtësia e parë, nga bojkoti i parë ne kemi rezultuar me rezultate shumë të mira, më të mira se që kemi pritur sepse grupi i të rinjëve dhe të rejave është rritur me mbi 6 mijë, ndërsa ata që ndiqin nëpër rrjete sociale dhe ata që ju kanë dhënë përlqime janë mbi 200 mijë. Nëse këtë numër prej 200 mijëve e shumëzojmë më katër anëtarë të familjes së secilit, del se jemi bashkë me rreth 800 mijë qytetarë konsumatorë të Republikës së Kosovës, ose 50 % të vetëdijësuar. Ata shprsojmë që qytearët të na bashkangjiten duke mos i vizituar marketet, dhe marketet presim që të fillojnë dialogun me ne, nëpër mes shoqatës së tyre, presim që Qeveria të na thërras se kjo qeveri detyrimisht duhet të dëshmojë se e njeh qytetarin konsumatorë dhe duhet të dal të paktën me një koncept programi duke mbrojtur përmbajtjen e konsmuatorit”, theksoi Kaqaniku.

Ai po ashtu ka një thirrje “Thirrja ime është shumë e thjeshtë: Ne nëse e bojkotojmë, po e bëjmë të duhurën për intersin tonë, kundër zhvatjes klasike, kundër mashtrimeve me çmimeve të parenderuara, pra çmime të rritura paarsyeje, me çmime të spekuluara. Nëse jo atëherë çdo kush vetëvetës së tij, i’a mohon të drejtën për ankesë për të ardhmen, pra të protosojmë sot me 15-16, që me 17 mos të detyrohemi të ankohemi.”

Ndërsa, sipas ekonomistit Arton Muhaxheri kjo iniciativë buron nga nevoja reale për ndryshim dhe se sipas tij qytetarët ndihen të braktisur nga institucionet.

“Kjo iniciativë buron nga një nevojë reale për ndryshim dhe nga fakti që qytetarët ndihen të braktisur nga institucionet. Në vend që të presin masa nga një qeveri që ka dështuar të ofrojë zgjidhje, ata po e marrin situatën në duart e tyre përmes bojkotit. Edhe pse kjo është një formë legjitime e protestës ekonomike, nuk është një zgjidhje afatgjatë. Qeveria duhet të kuptojë se qytetarët nuk do të kishin nevojë të bojkotonin nëse ajo do të kishte siguruar një treg të drejtë, me konkurrencë të ndershme dhe çmime të përballueshme”, u shpreh ai.

Ai shton se në rast se qeveria nuk merr masa urgjente lidhur me këtë, ekonomia do të pësojë dëme afatgjata.

“Nëse qeveria nuk merr masa urgjente për të rregulluar tregun dhe për të ndaluar abuzimet, atëherë këto lëvizje do të vazhdojnë dhe ekonomia do të pësojë dëme afatgjata. Qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë: nuk mund të qëndrojnë pasivë përballë padrejtësive ekonomike. Pyetja kryesore tani është: A do të dëgjojë qeveria zërin e tyre, apo do të vazhdojë të injorojë realitetin?”, deklaroi ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2024 ishte më i lartë në një mesatare prej 1,6 % krahasuar me vitin 2023.