Qytetarët e fshatit Dumnicë të Podujevës, tash e tetë muaj janë pa transport.
Kompania që ishte e kontraktuar për linjën Dumnicë-Podujevë, Leli Trans, për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve, ka ndërprerë qarkullimin e kësaj linje.
Një qytetar nga fshati Dumnicë ka thënë se nxënësit po e pësojnë më së shumti nga mungesa e autobusit në orët e mëngjesit.
Ndërsa nga Komuna e Podujevës, drejtori i Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, ka thënë se janë të njoftuar për problemin dhe se janë në procedura e sipër për të gjetur një zgjidhje për këtë problem.
“Jemi të njoftuar për këtë problem në këtë linjë, madje kemi takuar edhe banorë të asaj pjese disa herë dhe kemi insistuar për t’u bërë zgjidhje, mirëpo për shkak të mungesës së udhëtarëve në atë rajon, kompania e cila ka qenë e kontraktuar vitin e kaluar e ka ndalur transportin dhe nuk e ka mbajtur këtë linjë.”
“E vetmja gjë që mund ta bëjmë si komunë, nëse një operator ekonomik privat nuk e mban një linjë të caktuar, është ta bëjmë revokimin e lejës.
Tashmë kemi nisur një procedurë të subvencionimit të linjave që merr pak kohë derisa të përgatisim materialin përfundimtar, por po shpresojmë që në një të ardhme të afërt do ta bëjmë edhe ne subvencionimin e linjave dhe nuk do të kemi probleme më me asnjë linjë,” ka thënë Selimi.
Nga kompania Leli Trans po ashtu kanë thënë se si rezultat i mungesës së udhëtarëve janë detyruar ta ndalin qarkullimin e kësaj linje. /TV Arbëria