Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Si dalim nga sanksionet perëndimore?!

Si dalim nga sanksionet perëndimore?!

Krejt është në rregull që votuam, u krye ajo punë, iu kthyem punëve të përditshme, por çështja e pazgjidhur mbeti: Si do të dalim nga sanksionet perëndimore? Sepse sa më gjatë që rrimë kështu nën sanksione, aq më shumë po shkatërrohet e shpopullohet Kosova dhe aq më shumë po kënaqet Serbia e Rusia, të cilat ëndërr e mision historik e kanë shpopullimin e Kosovës.

Tashmë kur edhe Administrata Trump publikisht na i mbylli dyert bashkë me Evropën që është paluar si lepuri para Amerikës, kush na i heq sanksionet perëndimore dhe na i çel dyert në Perëndim? A kemi haruar që vetëm kur deshi Perëndimi (SHBA e BE) Kosova u bë shtet? Pse s’u bëmë kur s’deshi Perëndimi?

Po ju pyes juve bashkëqytetarë të mi: a po mendoni që Kosova mundet ta detyrojë Perëndimin të na i heqë sanksionet? Qindra miliona euro na i ka blloku BE dhe tash edhe SHBA, a mendoni që këto shuma s’e nxisin ikjen e rinisë? Vendet e rajonit po ecën përpara, kurse Kosova po zbrazet nga rinia. A e mendoni që e kemi luksin të humbim kohë aq të çmuar e të vazhdojmë kështu nën sanksione perëndimore?

Mos harroni vëllezër e motra, Serbia e Rusia historikisht na kanë penguar që të lidhemi me Perëndimin. Sepse e dinin që Perëndimi na shpëton. E sot, jemi futur nën sanksione të Perëndimit, një ëndërr kjo e përmbushur serbe e ruse.

Sa më shumë që do ta refuzojmë Perëndimin, aq më e madhe do të jetë dasma në Serbi e Rusi. Votoni sa të doni, mendoni çfarë të doni, ëndërroni çfarë të doni, e vërteta është se loja mjerisht po zhvillohet në tokë të Kosovës dhe humbëse në secilin variant po është Kosova asesi Serbia e cila tanimë veçse ka nënshkruar marrëveshje strategjike zhvillimore me SHBA, Francë, Gjermani dhe Britani të Madhe.