Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Koalicioni me Vetëvendosjen e “përçan” PDK-në

Koalicioni me Vetëvendosjen e “përçan” PDK-në

Përgatiti: Afrim Kasolli

Mundësia e një koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte përjashtuar asnjëherë në mënyrë kategorike nga një pjesë zyrtarëve të së parës. Ndonëse ata pohonin, se më parë do ta preferonin një bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës, megjithatë të njëjtit kishin nguruar të vendosnin vija të kuqe ndaj partisë së Albin Kurtit, me pretendimin se kështu e ofendonin elektoratin shqiptar të kësaj partie. Madje, që nga darka e gabuar politike ishte vërejtur një qasje tjetër e kësaj partie opozitare ndaj partisë në pushtet.

Ndërkohë, pak para zgjedhjeve nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, gjatë një debati në emisionin Rubikon, ishte shprehur se nëse Lëvizja Vetëvendosje do të pajtohej që kryeministër të ishte Bedri Hamza ai as që do të mendohej dy herë për këtë martesë politike.

Mirëpo, njëri nga politikanët veteran të këtij subjekti, Xhavit Haliti në një intervistë për TV Arbëria ishte shprehur kundër këtij skenari. Po ashtu, edhe kreu i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, në një prononcim FrontOnline, e ka kundërshtuar rreptësisht një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe LVV-së, duke thënë se në asnjë variant kjo gjë nuk guxon të ndodh.

Sipas tij, vetëm nëse PDK mendon të bëjë koalicion me VV-në është skandaloze. ”Veç me i shku mendja PDK-së me bërë koalicion me VV-në është skandaloze” thotë ai. Madje, Lushtaku deklaron se në asnjë mënyrë PDK nuk guxon të bëjë koalicion me VV-në. ”Në asnjë mënyrë PDK nuk guxon me hy në koalicion” shprehet ai. Për Lushtakun, nëse PDK bën koalicion me VV-në, ai thotë se do të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së në Skenderaj. Këtë koalicion e ka kundërshtuar edhe kandidati i PDK-së, për kryeminitër, Bedri Hmaza, gjatë një konference për shtyp. Ai ka pohuar, se nuk do të përfshihen në një asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, sepse kjo parti “nuk ka program politik dhe nxiti urrejtje.

Në anën tjetër, kandidati i kësaj partie nga qyteti i Gjilanit, Ilir Tahiri, nëpërmjet rrjetit të tij social, Facebook, ka shkruar se “koalicionin e PDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje e përkrahin vetëm ata qe ne Prishtinë kanë vjedhur më shumë se Perparim Rama. /TV Arbëria