Milani ka fituar me rezultatin 0-2 në transfertën e Empolit. Golat u shënuan nga Leao dhe Gimenez.
Pas një pjese të parë me pak emocione dhe vendësit e rrezikshëm (shtyllë nga Kolombo), ajo e dytë u mbizotërua nga tensioni. Fillimisht Tomori u largua me karton të kuq, më pas Marianuçi nga vendasit. Pas këtyre dy episodeve, erdhën dhe golat e të besuarve të Konseisaos me autorësi te Leaos (me kokë) dhe Gimenez (finalizim me të majtën në cepin e largët). Falë këtij suksesi kuqezinjtë, me një ndeshje më pak për t’u luajtur, më në fund shohin në horizont zonën Champions, që nuk duket më edhe aq utopike. Konseisao mund të jetë i lumtur, sepse një sukss përpara Championsit motivon ekipin, sidomos edhe atë si trajner pas impaktit që po japin blerjet e reja.
EPOKA E MEKSIKANIT – Santiago Gimenez e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën me Milanin, teksa pasditen e së shtunës gjeti rrugën e rrjetës në duelin ndaj Empolit, ku kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 0-2. Me golin e realizuar në minutën e 76-të, ai u bë lojtari i parë meksikan që shënon për Milanin në historinë e Serisë A dhe i treti në total në elitën e futbollit italian pas Johan Vaskez dhe Hirving Lozanos. Pas ndeshjes, ai ka dhënë edhe disa deklarata për televizionin e klubit.
“I jam shumë mirënjohës skuadrës. Në Serinë A është gjithmonë e vështirë. Ne që erdhëm nga stoli, hymë mirë dhe arritëm të ndikojmë. Që tani kam nisur të mendoj për ndeshjen e radhës. Kaq shumë emocione. Fejnordi, rivali ynë i së mërkurës, më ka dhënë kaq shumë. Për mua është ende si një familje”, deklaroi sulmuesi.
ÇËSHTJA E NUMRIT – Ai ka zgjedhur të mbajë numrin 7, si Shevçenko, por në Champions me këtë fanellë ka luajtur Alvaro Morata. Rregullorja e pengon që i njëjti numër të përdoret nga dy futbollistë të ndryshëm. Në këto orë drejtuesit e “Djallit” po punojnë për një leje të veçantë e cila nuk do të detyronte klubin që të shiste dy fanella të ndryshme për të njëjtin lojtar. Nëse burokracia mbizotëron, atëherë Gimenez do të duhet të marrë një numër ndryshe për Champions-in. Misioni i tij, mbeten golat e me sa duket nuk do të ndryshojë. “Për një sulmues, të shënosh është gjithçka. Sulmuesit jetojnë për gola dhe e vetmja mënyrë për t’ua kthyer këtë lumturi tifozëve, për t’u kthyer gëzimin që u japin, është të shënohen sa më shumë gola dhe t’i bëj ata të festojnë shumë herë”, përfundoi meksikani.