Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është një demokraci e pjekur, “ku qytetarët vendosin me votën e tyre për të ardhmen e vendit”.
Në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve, Stavileci ka thënë se dita e zgjedhje është e rëndësishme për demokracinë tonë.
“Kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë. Qytetarët e Kosovës treguan kulturë të lartë politike, duke votuar me përgjegjësi dhe qetësi. Kjo është një fitore për vendin tonë dhe për të ardhmen që të gjithë bashkë po ndërtojmë. Një falënderim i veçantë i shkon kandidatit tonë për Kryeministër, Bedri Hamza, i cili udhëhoqi një fushatë dinjitoze, me ide dhe program të qartë për zhvillimin e Kosovës. Po ashtu, mirënjohje të veçantë për Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili me vizionin dhe udhëheqjen e tij i dha kësaj fushate energjinë dhe unitetin që i nevojitej”, ka thënë Stavileci në konferencë për media.
“Kjo ishte një fushatë që frymëzoi dhe bashkoi njerëzit rreth vlerave të zhvillimit, përgjegjësisë dhe progresit. Një falënderim i përzemërt shkon për çdo votues, aktivist, mbështetës, komisioner dhe vëzhgues të PDK-së, të cilët punuan me përkushtim të madh. Falë jush, kjo fushatë ishte një histori suksesi. Puna juaj nuk ka përfunduar ende – mbrojtja e secilës votë është prioriteti ynë i përbashkët. Ne jemi të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet më mirë sesa çfarë pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit polleve. Prandaj, mbetemi të kujdesshëm dhe të përkushtuar që çdo votë të numërohet me korrektësi dhe transparencë. Siç kemi thënë nga fillimi, ne respektojmë procesin dhe do të presim përfundimin e numërimit zyrtar para se të dalim me qëndrime të tjera politike. Gjatë mbrëmjes, kandidati ynë për Kryeministër, Bedri Hamza, do të mbajë një konferencë tjetër për të ndarë me ju reflektimet dhe vizionin tonë për hapat e mëtejshëm”, u shpreh ai./eo