Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Procesi i votimit në Drenas

​Procesi i votimit në Drenas

Qysh në orën 07:00 të mëngjesit dyert e 31 Qendrave të Votimit janë hapur edhe në komunën e Drenasit.

Zyrtari komunal zgjedhor në këtë komunë, Burim Jonuzi deklaroi se procesi i votimit në këtë komunë po shkon mbarë.

Ai tha se me kohë kanë pranuar materialet zgjedhore.

“Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 në mëngjes ashtu siç është e përcaktuar më Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Deri më tash nuk ka ndonjë raportim për ndonjë parregullsi. Dje i kemi pranuar materialet e ndjeshme, si pjesë e materialit jo të ndjeshëm janë kompletuar të gjithë, janë pajisur të gjitha vendvotimet dhe gjithçka ka qenë e gatshme për shpërndarje në mëngjes”, tha ai.

Jonuzi tha se në Drenas të drejtë votë kanë 56 mijë e 703 qytetarë.

“Në Komunën e Drenasit janë 56 mijë e 703 votues me të drejtë vote. Ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe kësisoj do të ishte një mundësi më e mirë për qytetarët të votojnë lirshëm”, tha Jonuzi.

Ai tregoi se në këtë komunë qytetarët mund të votojnë në 31 qendra të votimit dhe në gjithsej 72 vendvotime.

Edhe në Drenas qytetarët mund të votojnë me kusht në gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.

“Në komunën e Drenasit i kemi gjithsej 31 qendra të votimit. Natyrisht për shkak të ndryshimeve ligjore është edhe një qendër e votimit me kusht janë gjithsej 72 vendvotime”, theksoi ai.

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852.

Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.

Zgjedhjet e sotme parlamentare po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian./kp